Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, ka pasur një takim përmbyllës, të vitit që po e lëmë pas, me stafin akademik dhe administrativ të Universitetit.
Me këtë rast Rektori Kosumi ka folur për sukseset dhe sidat për gjatë një viti, derisa ka falënderuar të gjithë për punën, angazhimin dhe të arriturat e vitit 2019, duke i uruar edhe për një vit të mbarë dhe me plote suksese në 2020.
Fjala e Rektorit Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi
UKZ po e përmbyll vitin 2019 me shumë sukses në disa drejtime.
Së pari, vitin 2019 e kisha shpallur Vit të Autonomisë së Universitetit. Që nga janari, politikanë shkurtpamës sulmuan qenien e universiteteve publike, dhe në këtë vit vazhduan edhe institucione të arsimit të lartë. Ne dëshmuam se kemi subjektivitet, kemi vizion dhe qëllim, kemi strategji dhe qëndrueshmëri për ta bërë universitetin tonë.
Autonomia e universitetit është kushti akademik e politik i ekzistencës së universitetit. Ne e vërtetuam se e plotësojmë këtë kusht.
Së dyti, vitin 2019 e kisha shpallur vit të ndërkombëtarizimit të Universitetit “Kadri Zeka”. Ne jemi pjesë e disa projekteve ndërkombëtare, nga sivjet koordinojmë një projekt të Erasmus+ në vlerë të pothuajse një milion eurove.
Së treti, vitin 2019 e kisha shpallur vit të pjekurisë së Universitetit. Ne patëm zgjedhjet në të gjitha nivelet dhe, në shumicën e rasteve patëm një situatë vërtetë demokratike. Po ashtu, për herë të parë patëm procesin e avancimit të stafit akademik dhe ky është tregues i pjekurisë hap pas hapi.
Të dashur staf akademik dhe administrativ,
Unë jam krenar dhe i privilegjuar që punoj me ju në ndërtimin e universitetit. Mijëra njerëz do të punojnë pas jush. Dhjetëra mijëra për shumë vjet, po asnjë prej tyre nuk do ta ketë fatin që e kemi ne: të ndërtojmë universitetin e ri. Kjo na bënë krenar dhe të vendosur të investojmë çdo dije dhe mund tonin në këtë punë.
Në fund, edhe për Gjilanin: një qytet nuk mund te jetë qytet i vërtetë, metropol, pa universitet. Universiteti do ta shpije Gjilanin kah metropoli.
Te dashur staf akademik dhe administrativ,
Uroj që në vitin 2020 të arrijmë sukseset e synuara edhe më plotësisht.
Urime të gjithëve!
Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi
Rektor i UKZ-së
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan