Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është krenar të ndajë pjesëmarrjen dhe përfaqësimin dinjitoz të Erletë Baliqit, studente e dalluar në UKZ, në ngjarjen më të madhe demokratike dhe rinore në Evropë, “Java e Almedalen”, e cila u zhvillua në Visby të ishullit Gotland, Suedi.
Erletë Baliqi ishte pjesë e delegacionit të Qendrës për Bashkëpunim dhe Rrjetëzim të Organizatave (CCNO), organizatë që përfaqësoi Kosovën në këtë forum, në mesin e tetë shteteve pjesëmarrëse nga Evropa. Pjesëmarrja e saj shënon një arritje të rëndësishme jo vetëm për UKZ-në, por edhe për të gjithë të rinjtë kosovarë që synojnë të jenë pjesë aktive e dialogut dhe vendimmarrjes në nivele ndërkombëtare.
Gjatë këtij festivali, i njohur si platforma më e madhe evropiane për dialog demokratik, Erleta ishte pjesë e panelit tematik “Rinia dhe Demokracia”, ku ndau vizionin dhe perspektivat e të rinjve nga Kosova për të ardhmen demokratike të rajonit dhe Evropës. Në të njëjtin kontekst, ajo diskutoi mbi rolin e të rinjve në fuqizimin e shoqërisë, sfidat me të cilat përballen dhe mundësitë për përfshirje aktive në procese politike dhe zhvillimore.
Erleta tha se, të jesh pjesë e “Javës së Almedalen”’ si përfaqësuese e të rinjve nga Kosova dhe si studente e Universitetit Publik “Kadri Zeka” është nder dhe përgjegjësi. Ajo tha se kjo përvojë i ka dhënë besim se zëri i të rinjve ka peshë dhe mund të sjellë ndryshime të prekshme në shoqëri.
Nndërkohë në një tjetër panel të rëndësishëm, të titulluar “One Europe Whole and Free – The Western Balkans and the European Union”, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të diplomacisë kosovare, përfshirë Sekretarin e Parë të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Suedi, Dren Zeka, i cili theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrimin euro-atlantik dhe rolin qendror të të rinjve në këtë proces.
Po ashtu, gjatë “Javës së Almedalen”, u zhvilluan edhe dy seminare me rëndësi strategjike në Muzeun e Gotland-it: “Eksplorimi i së ardhmes së Evropës: Një perspektivë rinore”, ku përfaqësues të rinj nga e gjithë Evropa shkëmbyen ide me ambasadorë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe “Inteligjenca Artificiale formëson Demokracinë – Koha për Veprim”, ku u trajtuan ndikimet e AI në të ardhmen e demokracisë.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” vlerëson lart përfaqësimin e Erletë Baliqit si dëshmi e cilësisë dhe përgatitjes së studentëve të tij për të qenë pjesë aktive e zhvillimeve ndërkombëtare. Kjo pjesëmarrje jo vetëm që promovon institucionin tonë në arenën evropiane, por edhe dëshmon për rolin e rëndësishëm që të rinjtë tanë mund të luajnë në ndërtimin e një Evrope më gjithëpërfshirëse dhe demokratike.
UKZ do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm studentët në iniciativat që u japin atyre zë dhe hapësirë në nivele ndërkombëtare, duke kontribuar në fuqizimin e tyre profesional dhe qytetar.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan