Duke qenë se në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan janë në funksion të plotë dy drejtime studimore në kuadër të Fakultetit të Edukimit, programi Fillor dhe duke qenë se Fakulteti i Edukimit ka një specifikë të veçantë për profilizimin e studentëve, që ka të bëjë me mbajtjen e mësimit praktik nëpër institucione shkollore dhe ato parashkollore, dhe në të dy programet i vijojnë studimet edhe studentët nga komuna e Ferizajit, e të cilët rrjedhimisht do të ishte me e favorshme për ta mbajtja e mësimit praktik në institucionet shkollore dhe parashkollore në komunën nga vijnë, Universiteti “Kadri Zeka” respektivisht rektori, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi dhe Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Ferizaj z. Afrim Llabjani, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Në bazë të marrëveshjes, Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, si entitet i ri i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, ka për qëllim të vendosë raporte bashkëpunimi dhe partneriteti me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Ferizaj, për të siguruar përmbushjen e planprogramit të Fakultetit të Edukimit, respektivisht pjesën programore përkitazi me komponentin e mësimit praktik, si dhe krijimin e lehtësirave për mbajtjen e mësimit praktik për studentë që vijnë nga komuna e Ferizajt.
Thelbi i kësaj marrëveshje nënkupton vënien në shërbim të resurseve profesionale të stafit mësimdhënës dhe të stafit udhëheqës të shkollave fillore dhe të enteve parashkollore, të cilat drejtohen nga DKA.
Bashkëpunimi do të nënkuptojë pranimin dhe sistemimin e studenteve, për kohë të caktuar, në institucione shkollore dhe parashkollore dhe caktimin e mësuesve/edukatorëve në rolin e mentorëve për studentë që e mbajnë praktikën, duke u bazuar në planprogramet e Fakultetit të Edukimit, si dhe në Doracakun e mësimit praktik.
Duke e pasur parasysh që mësimi praktik është pjesë integrale dhe e detyrueshme e planprogramit të Fakultetit të Edukimit, interesi afatgjatë i UKZ-së, është që kohëzgjatja e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi dhe partneriteti të mos jetë e kufizuar, respektivisht, kjo marrëveshje të jetë efektive për aq kohë sa do të ketë programe të akredituara të Fakultetit të Edukimit nga ana e Agjencisë së Akreditimit të Republikës së Kosovës.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan