Nga sot, studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Edukimit, programi fillor dhe parafillor, të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë nisur një fazë të rëndësishme të mësimit të tyre universitar – mësimin praktik në shkolla dhe institucione parafillore të Rajonit të Gjilanit. Ky është një moment i veçantë për studentët, pasi ata do të kenë mundësinë të aplikojnë njohuritë dhe aftësitë që kanë mësuar gjatë periudhës teorike të studimeve, duke punuar drejtpërdrejt në mjedise edukative.
Mësimi praktik është një pjesë e domosdoshme e kurikulës për studentët që ndjekin studimet në fushën e edukimit, pasi ai u mundëson atyre të zhvillojnë aftësi të rëndësishme praktike, të cilat janë thelbësore për suksesin në fushën e mësimdhënies. Ky proces i integruar i mësimit të teorisë dhe praktikës i jep mundësi studentëve të përvetësojnë njohuri dhe aftësi të reja që do t’i shërbejnë për zhvillimin e karrierës së tyre profesionale në arsim.
Studentët e vitit të dytë do të punojnë pranë mësuesve dhe edukatorëve të shkollave dhe institucioneve parafillore të Rajonit të Gjilanit, ku ata do të kenë mundësinë të bëjnë vëzhgime, të krijojnë planifikime mësimore, të ndihmojnë në mësimdhënie dhe të kontribuojnë në zhvillimin e aktiviteteve edukative. Ky është një mundësi për ata që të përfshihen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të shkollave dhe të kuptojnë nga afër sfidat dhe mundësitë që ofron profesioni i mësuesit.
Prof. Ass. Dr. Mensur Neziri, prodekan i Fakultetit të Edukimit, dhe Xhevat Bekteshi, Koordinator i mësimit praktik në UKZ, theksuan rëndësinë e këtij programi për zhvillimin e aftësive profesionale të studentëve. Ata nënvizuan se kjo është një mundësi e shkëlqyer për studentët për të krijuar lidhje të forta mes teorisë dhe praktikës, duke i përgatitur ata për sfidat reale që mund të hasin në mësimdhënie.
Për studentët, ky është një hap i domosdoshëm për të përgatitur një karrierë të suksesshme si mësues dhe edukator të nesërm.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan