Studentët e Universitetit PH Zug vizitë studimore në UKZ

12 Tetor, 2023

Në universitetin Publik ‘Kadri Zeka” në Gjilan, po qëndrojnë në një vizitë studimore një javore disa studentë të Universitetit të PH Zug në Zvicër.

Kjo vizitë  është si rrjedhojë e marrëveshjes së bashkëpunimit  që Universiteti Publik ‘’Kadri Zeka’’ ka me Universitetin  PH Zug, në këmbim të mobilitetit të stafit akademik dhe studentëve.

Studentët zviceran i ka pritur në një takim Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku i cili ju ka dëshiruar mirëseardhje studentëve mysafir, derisa i ka njoftuar ata për aktivitetet, punën dhe zhvillimet tjera në Universitet.

Në ndërkohë studentët janë takuar edhe me stafin Akademik i prirur nga Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka i cili është koordinator i këtij mobiliteti, ku kanë diskutuar rreth fushës së edukimit dhe mësimdhënies edukative dhe në përgjithësi për sistemin e arsimit në Kosovë.

Po ashtu janë mbajtur edhe punëtori nga stafi i UKZ-së me temat:

“Zbatimi i Taksonomisë së Bloom përmes E-Learning””

” Strategjitë e Arsimit -krahasime”

“Roli dhe rëndësia e mësimdhënies bashkëkohore”

Gjithashtu studentët zviceran nën shoqërimin e studentëve të UKZ-së, kanë realizuar vizita nëpër Shkollat Fillore në Komunën e Gjilanit, si vizitë në shkollën fillore “Thimi Mitko”, vizitë në shkollën fillore “Musa Zajmi”, “Rexhep Elmazi” dhe shkollën Hello Academy of Education, ku drejtorët e shkollave përkatëse i kanë njoftuar studentët nga Universiteti PH  Zug për procesin e punës që nga niveli parafillor, deri në klasën e nëntë, e po ashtu studentët  kanë vizituar edhe muzeun në Gjilan.

Ndërkaq, në vizitën e tyre studimore, studentët e Universitetit ZUG të shoqëruar edhe nga studentët e Universitetit Publik ‘’Kadri Zeka’’ gjatë vizitës së tyre studimore, kanë patur aktivitete të përbashkëta, ku nga vetë studentët janë prezantuar tema të zgjedhura nga ta përmes diskutimeve të përbashkëta si:

 Dallimi i përgjithshëm ndërmjet sistemit shkollor të Kosovës dhe Zvicrës.

 Dallimi ndërmjet metodologjisë në përgjithësi.

 Çfarë lëndësh mësojnë në Universitet dhe çfarë në shkollën fillore.

 Cila është dita normale e shkollës në Kosovë.

 Struktura e sistemit të shkollës fillore.

 Kultura dhe Tradita në Kosovë.

Studentët zviceran gjatë këtyre ditëve kanë qëndruar nëpër familjet shqiptare, respektivisht nëpër familjet e studentëve tanë, për të mësuar më shumë për  sistemin arsimor, për kulturën shqiptare,  për traditat tona dhe në përgjithësi për jetën kosovare.

Në fund të qëndrimit në Kosovë, studentët zviceran vizitojnë Monumentin Historik të Prekazit, qytetin e Pejës respektivisht burimin e Drinit të Bardhë, si dhe kanë vizituar qytetin e vjetër të Prizrenit.