Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka mirëpritur një grup studentësh nga Universiteti PH Zug i Zvicrës, të cilët po qëndrojnë për një vizitë studimore njëjavore në kuadër të bashkëpunimit ndëruniversitar. Kjo vizitë është realizuar në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet UKZ-së dhe Universitetit PH Zug, e cila përfshin shkëmbimin e studentëve dhe stafit, si pjesë e përpjekjeve për të zgjeruar mundësitë e mobilitetit akademik.
Gjatë vizitës së tyre në UKZ, studentët zviceranë janë pritur nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i cili u ka uruar mirëseardhje. Rektori Dërmaku i ka informuar studentët për zhvillimet e fundit në universitet, për aktivitetet që po realizohen dhe për mundësitë që ofron ky institucion për studentët e tij. Ai gjithashtu ka folur edhe për programet mësimore, infrastrukturën dhe projektet që janë në zhvillim e sipër, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për avancimin e cilësisë akademike.
Gjatë vizitës së studentëve të Universitetit PH Zug në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, një fjalë përshëndetëse ka mbajtur edhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka. Ai ka vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, duke theksuar se ky shkëmbim studentësh është një mundësi e mirë për të dyja palët që të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të ndajnë përvoja të ndryshme.
Prorektori Leka u shprehu mirënjohje studentëve të PH Zug për interesimin e tyre në vizitën studimore duke thënë se ky shkëmbim do të kontribuojë në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe bashkëpunimeve të frytshme në të ardhmen.
Vizita studimore ka për qëllim jo vetëm shkëmbimin e njohurive dhe përvojave midis studentëve dhe stafit të dy universiteteve, por edhe nxitjen e bashkëpunimeve të reja për të ardhmen. Gjatë kësaj jave, studentët nga Zvicra do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme akademike dhe kulturore, si dhe do të kenë mundësinë të bashkëpunojnë me studentët dhe stafin akademik të UKZ-së për të shkëmbyer ide dhe qasje të reja në fushat e tyre të studimit.
Studentët zviceran gjatë vizitës së tyre studimore, janë duke qëndruar nëpër familjet shqiptare, respektivisht nëpër familjet e studentëve tanë, për të mësuar më shumë për sistemin arsimor, për kulturën shqiptare, për traditat tona dhe në përgjithësi për jetën kosovare.
Ky shkëmbim i studentëve është pjesë e UKZ-së për të forcuar bashkëpunimin me universitete ndërkombëtare dhe për të krijuar mundësi të reja për studentët e tij që të përfitojnë nga përvojat dhe praktikat më të mira që ofrojnë institucione të ndryshme arsimore jashtë vendit. Vizita e studentëve zviceranë shënon një hap të rëndësishëm në këtë drejtim dhe pritet të kontribuojë në pasurimin e përvojës arsimore dhe kulturore të të gjithë pjesëmarrësve.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan