Studentët e UKZ-së të udhëhequr nga kryetarja e PS kanë marrë pjesë në punëtorinë organizuar nga GIZ

16 Shtator, 2022

Studentët e Universitetit Publik “”Kadri Zeka” në Gjilan, të udhëhequr nga kryetarja e Parlamentit Studentor Sara Keqmezi, kanë marrë pjesë në punëtorinë “Përmirësimi i aftësive të komunikimit dhe vet prezantimit” organizuar nga GIZ dhe Zyra për Komunikim me Publikun e UKZ-së.

Në këtë punëtori, GIZ ka kontraktuar ekspertin Arben Hysenaj, i cili ka mbajtur trajnimin për studentët e UKZ-së, me qëllim që të forcojë aftësitë komunikuese dhe prezantuese të studentëve si parakusht për vetë prezantim më të mirë në ngjarjet e mundësive të punës, përfshirë Panairin Kombëtar të Punës dhe Karrierës, etj.

Sara Keqmezi kryetare e Parlamentit Studentor në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka thënë se aftësitë e komunikimit konsiderohen si një nga aftësitë më të rëndësishme që lidhen me mënyrën se si punon njeriu dhe se si ndër vepron me të tjerët. Andaj ajo e ka vlerësuar mjaft të rëndësishme trajnimin në fjalë, sepse sipas saj aftësitë e komunikimit kërkohen shumë nga punëdhënësit.

Kurse Eksperti Arben Hysenaj tha se zhvillimi i aftësive të komunikimit luan një rol të rëndësishëm në jetën personale dhe profesionale. Sipas tij, nuk ka komunikim efektiv nëse nuk i zotëroni ato aftësi. Ai ka folur rreth informacionit mbi përmirësimin e aftësive komunikuese dhe prezantuese, se si të bëni prezantime efektive, ka përmendur rregullat që duhen ndjekur për prezantime efektive, informacionet për të kuptuarit dhe paraqitjen e vetvetes sipas audiencës, rreth këshillave për fjalime/prezantime të mira, llojet e prezantimeve, se si të jepen dhe interpretohen prezantimet me energji dhe qetësi, rreth mënyrave më të mira të të folurit gjatë prezantimit, se si të planifikojmë prezantime (8 hapa të përgatitjes së prezantimit), etj.

Përmbajtja e punëtorisë është konceptuar për të rritur aftësitë e vetë-prezantimit efektiv të pjesëmarrësve, duke përdorur “Elevator’s pitch” dhe teknika të ngjashme të rëndësishme për prezantim të shkurtër dhe efikas, si dhe seanca praktike përmes Role-play.