Marrëveshja e bashkëpunimit në mes Universitetit “Kadri Zeka” dhe Komunës së Gjilanit për digjitalizimin e shërbimeve të Stacionit të Autobusëve dhe shkollave të mesme në Gjilan, ka sjellë rezultatet e para.
Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në udhëheqjen e dekanit Xhevdet Thaqi dhe stafit akademik, kanë prezantuar punën e tyre në përpilimin elektronik të orarit mësimor, ueb faqes së shkollave, digjitalizimin të punës dhe shërbimeve në stacionin e autobusëve si dhe aplikacionin për menaxhimin e pagesave dhe shërbimeve hoteliere.
Me këtë rast, Rektori Bajram Kosumi ka thënë se, kjo që po prezantohet sot është një hap i vogël konkret dhe është hera e parë që studentët janë ballafaquar me tregun e punës. Ai ka shtuar se janë të rrallë studentët e Kosovës që në këtë moshë arrijnë të bëjnë diçka të tillë. Derisa të tjerët pas diplomimit nisin kërkesën për punësim dhe ballafaqim me aspektin praktik, ju studentë që sot po prezantoni këtë punë jeni ballafaquar me tregun e punës që në fillet e studimeve. Rektori ka thënë se kjo për kushtet e Kosovës është shumë e rëndësishme duke shpresuar në rezultate edhe më të mëdha gjatë të ardhmes. Rektori Bajram Kosumi ka thënë se mbështetja e Universitetit në ngritjen e cilësisë në studime është dhe do të jetë maksimale në kuadër të kushteve dhe mundësive që ka.
Në këtë organizim ka marrë pjesë edhe Blerim Rexha, Kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, i cili ka parë nga afër punën e studentëve të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Kadri Zeka”. Ai ka përgëzuar studentët për punën e bërë duke potencuar rëndësinë që kanë këta hapa të rëndësishëm dhe praktik. Ai ka paralajmëruar edhe angazhime të tjera drejtë ndryshimeve edhe më të mëdha në shërbim të avancimit teknologjik të shërbimeve dhe risive për qytetarët e Gjilanit dhe Kosovës.
Kurse në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, është paraqitur Faton Bislimi, Koordinator për Politika dhe Marrëdhënie Rajonale, i cili ka thënë se ky hap i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, po jep rezultate konkrete në një afat të shkurtër kohor. Ai ka konfirmuar gatishmërinë e administratës së udhëhequr nga kryetari Haziri, për vazhdim të bashkëpunimeve edhe në fusha të tjera, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve për publikun me këtë rast shkollat dhe ndërmarrjet, e në të ardhmen edhe institucionet tjera publike dhe rrjetin e bizneseve në përgjithësi.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan