Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Fakulteti i Edukimit – Seksioni i Muzikës i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është mbajtur koncert i veçantë për nxënësit e shkollave të mesme të ulëta të rajonit të Anamoravës, Gjilan dhe Kamenicë. Aktiviteti synon të frymëzojë dhe motivojë të rinjtë për t’u angazhuar në jetën kulturore dhe për të vazhduar studimet e tyre në këtë universitet.
Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe është konceptuar nga Prof. Ass. Drita Kryeziu – Musmurati, e cila udhëheq punën e studentëve në Fakultetin e Edukimit në kuadër të seksionit të muzikës.
Gjatë koncertit studentët: Albiona Hajdari, Antiana Thaqi, Arbnora Basha, Arlinda Basha, Atika Salihu, Dineta Verbani, Diona Shkodra, Donika Mehmeti, Elsa Matoshi, Ronesa Avdullahu, Eríola Demi, dhe Ermira Brati në korepetitimin e Defrim Behlulit dhe në udhëheqjen e profesoreshës Drita Kryeziu Musmurati, kanë dhënë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për realizimin e këtij koncerti, duke shfaqur talentin dhe përkushtimin për të paraqitur një përzgjedhje të pasur këngësh dhe interpretimesh muzikore nga kori i studentëve të UKZ-së. Programi përfshin këngë të traditës muzikore shqiptare:
Me lule t’bukura – Kori
Arbëreshe – Kori
Lule borë – Kori
Këngët e vendit tim – Kori
Lulja e bukur – Kori
Zare Ven Ma Fesin – Kori
Piano Solo – Performancë nga studentja Diona Shkodra
Këngë moj – Kori
Ky aktivitet artistik ka për qëllim të nxisë maturantët për të vazhduar studimet në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, të promovojë punën edukative përmes muzikës dhe përjetimit artistik, të zhvillojë shijen muzikore dhe vetëdijen për ruajtjen e traditës muzikore shqiptare, që të përfshijë të rinjtë në jetën kulturore duke i nxitur ata të jenë pjesëmarrës aktivë në aktivitete artistike.
Ideatorja dhe organizatorja e projektit, Prof. Ass. Drita Kryeziu – Musmurati, ka theksuar se pjesëmarrja e studentëve në aktivitete të tilla ndihmon jo vetëm në zhvillimin e aftësive artistike, por edhe në krijimin e një solidariteti kolektiv dhe një ndjenje përmbushjeje në arritjen e qëllimeve të përbashkëta.
Ky koncert përfaqëson një hap të rëndësishëm në përfshirjen e të rinjve në aktivitete kulturore dhe shërben si një shembull frymëzues për brezin e ardhshëm të artistëve dhe studentëve.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan