Studentët e UKZ-së janë pajisur me librin “Ekonomiksi i Mendimit Praktik”

2 Nëntor, 2021

Studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, respektivisht studentët e Fakultetit Ekonomik, kanë pranuar disa kopje të librit “Ekonomiksi i Mendimit Praktik”, përmes së cilit ata do ta kenë më lehtë ta kuptojnë se si funksionon ekonomia dhe vendimmarrja ekonomike në nivel personal dhe më gjerë.

Autorët e librit “Ekonomiksi i Mendimit Praktik” janë James D. Gwartney, Richard L. Stroup dhe Dwight R. Lee, Tawni H. Ferrarini, Joseph P. Calhoun dhe Randall K. Filer – që të gjithë akademikë të njohur në fushën e ekonomisë, kurse Prof. Ass. Dr. Arben Mustafa, profesor në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, ka kontribuar në përkthimin dhe përshtatjen e librit në gjuhën shqipe.

Botimi i këtij libri u mundësua nga Economic Fundamentals Initiative, të cilët bënë të mundur që ky libër t’u ofrohet lexuesve falas si në formë fizike, ashtu edhe ne formë elektronike përmes adresës www.econfun.org.

Libri “Ekonomiksi i Mendimit Praktik” udhëzon lexuesit e vet se si të bëjnë zgjedhjet e duhura për vendimmarrje personale e politike, si dhe për ata që duan të kuptojnë se si funksionon ekonomia, çfarë mund të bëhet për të krijuar pasuri dhe si të bëjnë zgjedhje të shëndosha ekonomike. Libri është një material ideal për studentët e ekonomisë që synojnë të marrin bazat e ekonomiksit në një dimension praktik, për nxënësit e shkollave të mesme të cilët aspirojnë karrierë në shkencat ekonomike por jo vetëm. Libri është i përshtatshëm dhe i kuptueshëm për të gjithë ata që duan të dinë se si funksionon ekonomia dhe vendimmarrja ekonomike në nivel personal dhe më gjerë.