Në kuadër të vizitës së tyre studimore në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, studentët e PH Zug nga Zvicra realizuan disa vizita edukative dhe kulturore në shkolla fillore dhe monumente historike të Kosovës. Aktivitetet u zhvilluan me qëllim që të njihen studentët me sistemin arsimor të vendit dhe trashëgiminë e tij kulturore.
Studentët vizituan shkollën fillore “Rexhep Elmazi” në Gjilan, ku u pritën nga drejtori i shkollës dhe më pas u ndanë në grupe për të marrë pjesë në orët e mësimit, duke pasur mundësinë të shohin nga afër procesin mësimor në Kosovë. Aktivitete të ngjashme u realizuan edhe shkollën fillore “Musa Zajmi”, shkollën fillore “Agim Ramadani” në Zheger dhe shkollën fillore “Hello Academy of Education”, ku po ashtu u angazhuan në klasa të ndryshme gjatë ditës shkollore. Këto vizita u shërbyen studentëve nga PH Zug të vëzhgojnë nga afër mënyrën e mësimdhënies dhe të krijojnë bashkëpunime të reja me kolegët e tyre në Kosovë.
Përveç aktiviteteve edukative, studentët zhvilluan edhe një turne kulturor në Kosovë, ku vizituan disa prej destinacioneve më të njohura të vendit. Turneu përfshiu një ndalesë në Monumentin e Prekazit, që ka një rëndësi të veçantë historike për popullin e Kosovës. Më pas, grupi vizitoi qytetin e bukur të Pejës dhe u ndalen tek Drini i Bardhë, duke përjetuar bukuritë natyrore të vendit. Turneu u përmbyll me një vizitë në qytetin e lashtë të Prizrenit, ku studentët patën mundësinë të eksplorojnë kulturën dhe historinë e pasur të këtij qyteti.
Me këto aktivitete është përmbyllur vizita studimore një javore e studentëve nga Ph Zug. Nga të gjitha ngjarjet e zhvilluara sipas agjendës, studentët e Ph Zug nga Zvicra, jo vetëm që thelluan njohuritë e tyre mbi sistemin arsimor të Kosovës, por gjithashtu u fituan njohuri unike për kulturën dhe historinë e vendit tonë Kosovës.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan