Studentët e FSHK-së në UKZ kanë realizuar projekte praktike universitare për të përshpejtuar menaxhimin dhe koordinimin e punës në ekip dhe procesit mësimor

7 Mars, 2024

Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Blendi Limoni, Avdi Ajvazi, Lirik Ismajli, Mexhid Gashi, Endrit Loku në udhëheqjen e Dekanes Prof.Asoc.Dr. Lindita Nebiu Hyseni kanë realizuar projektin JiProduktiv.

Projekti në fjalë është një aplikacion i avancuar për menaxhimin e detyrave dhe bashkëpunimin në ekip, i projektuar për të përmirësuar produktivitetin dhe efikasitetin në zbatimin e projekteve të ndryshme. Në këtë udhëtim të teknologjisë, studentët kanë krijuar një mjedis virtual që ofron një gamë të gjerë të karakteristikave dhe veçorive për të përmirësuar koordinimin, organizimin dhe bashkëpunimin në projektet e ekipit. Duke integruar teknologjinë në mënyrë të zgjuar dhe duke përdorur njohuritë e tyre për nevojat e përdoruesve, projekti JiProduktiv synon të sjellë një përvojë të shkëlqyer për përdoruesit dhe të ndihmojë  të arrijnë qëllimet e tyre me sukses.

Ndërsa studentët Denis Aliti, Arta Hetemi,  Fitimi Myrtaj, Eliza Neziri, Andi Selimi  po ashtu nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, ne udhëheqjen e Dekanes Prof.Asoc.Dr. Lindita Nebiu Hyseni, kanë realizuar projektim “ Sistemi për Menaxhimin e Orëve për Zëvendësim (SMOZ)”. Ky projekt synon të adresojë sfidat në menaxhimin e zëvendësimeve të orëve në Fakultetet e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në nivelin  Bachelor dhe Master . Përmes dy moduleve kryesore, Modulit të Dekanatit dhe Modulit të Stafit Akademik dhe përfaqësueseve, projekti synon të përmirësojë procesin e identifikimit të orëve të humbura dhe të koordinimit të zëvendësimeve. Moduli i Dekanatit është përgjegjës të shtojë orarin dhe lehtësojë komunikimin me stafin akademik dhe përfaqësuesve për zëvendësimin e orëve të humbura. Në anën tjetër, Moduli i Stafit Akademik dhe përfaqësueseve, automatizon regjistrimin e disponueshmërisë dhe dërgon njoftime automatike për zëvendësime të mundshme. Rezultatet e projektit përfshinë përmirësimin e komunikimit dhe koordinimit në mes të dekanatit, stafit akademik dhe përfaqësuesve. Ky përmirësim i procesit synon të kontribuojë në efikasitetin e operacioneve akademike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.