Studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, respektivisht ata te Fakultetit Ekonomik, kanë pasur rastin të ndjekin ligjëratën me temë “Integrimet Evropiane” nga Prof. Dr. Gazmend QORRAJ, Jean Monnet Chair.
Ligjëratën e ka hapur Dekani i Fakultetit Ekonomik Prof. Asoc. Dr. Xhevat Sopi i cili vlerësoi angazhimin e profesor Qorrajt për të ligjëruar para studentëve të UKZ-së, duke shpresuar se ligjërata e tij do të bartet tek studentët.
Në ligjëratën e tij, Prof. Dr. Gazmend Qorraj, duke folur për Integrimin ekonomik, ka thënë se definohet si eliminim i barrierave ekonomike ndërmjet dy ose me shumë vendeve. Sipas tij, barrierat ekonomike janë çfarëdo demarkacioni nëpërmes të cilave zvogëlohet mobiliteti aktual dhe potencial i të mirave, shërbimeve dhe faktorëve të prodhimit. Profesori Qorraj ka thënë se efektet e integrimeve janë rëndësia fundamentale e integrimit, se si ndikon në rritjen e konkurrencës aktuale dhe potenciale. Rritet sasia e ofruar në tregun e integruar, zvogëlohet niveli i çmimeve, rritet mirëqenia për shoqërinë, krijohet një treg më i madh. Ndër tjerash profesori Gazmend Qorraj, gjatë ligjëratës së tij ka thënë se në parim procesi i integrimit nxitet nga motivet ekonomike, por nuk mund të përjashtohen edhe ato politike në raste të caktuara.
Derisa duke folur për marrëveshjet e tregtisë së lirë, ai ka thënë se tentohet që të arrihet rritja ekonomike dhe bashkëpunimi tregtar, përmirësimi i aftësive konkurruese të vendeve, qasja në tregjet e vendeve të rajonit, etj.
Pjesëmarrësit e kësaj ligjërate do të marrin Certifikatë nga lëmi i “Integrimeve Evropiane”.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan