STUDENTË TË UKZ PO QËNDROJNË NË NJË VIZITË STUDIMORE NË ZUG TË ZVICRES

22 Dhjetor, 2021

Studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, nën udhëheqjen e Prorektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, po qëndrojnë për një vizitë studimore një javore në Universitetin PH ZUG të Zvicrës. 15 studentë të UKZ po vijojnë javën e shkëmbimit në PH ZUG, të cilët vetëm dy muaj më parë kanë pritur në Gjilan kolegët e tyre-studentët nga PH ZUG. Vizita ka filluar nga dita e shtunë, 18.12.2021, derisa do të qëndrojnë atje deri në fund të kësaj jave. Studentët e UKZ janë shoqëruar nga studentët zviceran, të cilët i kanë mirëpritur në familjet e tyre.

Në vizitën e tyre studimore, studentët e Universitetit tonë të shoqëruar edhe nga studentët e Universitetit ZUG, gjatë qëndrimit të tyre një javor në Zvicër, po zhvillojnë aktivitete të përbashkëta, takime e vizita në Komunën e ZUG-ut, gjithashtu ata kanë parë nga afër mënyrën e mësimdhënies dhe mësim nxënies në Universitetin ZUG gjatë vizitës që i kanë bërë disa shkollave atje, por kanë pasur edhe vizita të tjera në qytet.

Gjatë kësaj vizite studimore po mbahen punëtori me tematika të ndryshme, ndër to është ajo për dialogun ndërkulturor dhe ndikimin e tij në zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi.

Studentët e UKZ-së, shprehen të kënaqur me vizitën në Zug, derisa thonë se sa i përket procesit mësimor, UKZ  nuk e dallon shumë nga  Universiteti ZUG. Studentët duke folur rreth vizitës në Zvicër, respektivisht në Universitetin ZUG, kanë theksuar  se duke i njohur arritjet dhe sukseset e Universiteteve tjera, ne marrim  njohuri dhe i ndajmë përvojat me profesionistët, në këtë rast me profesorët dhe studentët zviceran, të cilat në të ardhmen mund të ju shërbejnë për arritjet e tyre  profesionale.