Studentë të Fakultetit Ekonomik kanë realizuar vizitë studimore në kompaninë Monopol

28 Mars, 2022

Studentët e vitit të tretë të Fakulketit Ekonomik, drejtim Menaxhment, në Universitetin Publik „Kadri Zeka”, kanë realizuar vizitën studimore në kompaninë Monopol City në Gjilan, ku janë pritur në takim nga Drejtori Ekzekutiv z. Ibrahim Sekiraqa.

Kjo vizitë është realizuar në kuadër të bashkëpunimit në mes të Fakultetit Ekonomik të UKZ-së dhe sektorit privat, për të përmbushur një pjesë të plan – programit të lëndës Analiza e të dhënave për Hulumtime në Biznes.

Gjatë këtij semestri studentët do të realizojnë studim të tregut me fokus sektorin e ndërtimtarisë, nën kujdesin e mësimdhënësit të lëndës, Prof.Ass.Dr. Art Shala. Nga këto aktivitete studentët do të jenë në gjendje të aplikojnë praktikisht pjesën teorike të realizuar përgjatë ligjëratave.

Në këtë vizitë studimore studentët kanë pasur rastin të bashkëbisedojnë me  drejtorin Sekiraqa, rreth aspekteve praktike të realizmit të një projekti nga ideja deri në finalizim. Po ashtu, studentët u informuan se kjo kompani ofron mundësi punësimi për ata që mbarojnë studimet në Fakultetin Ekonomik, duke i trajtuar me përparësi.  Monopol City, paraqet një ndër projektet investive më të mëdha në Komunën e Gjilanit, ku pritet të ndërtohet një hapësire prej rreth 140,000 m2, në të cilën do të ofrohen hapësira rezidenciale dhe komerciale. Në përfundim të projektit pritet të punësohen 600 persona dhe të krijohen hapësira banimi për rreth 3,000 persona. Veç kësaj, ky projekt unik pritet të zbukuroj zonën e ish-Kombinatit të Duhanit në Gjilan.