Një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, i përbërë nga Prof. Dr. Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, U.D. Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti, Prodekan i Fakultetit Ekonomik dhe Naser Abazi, përfaqësues i administratës, po zhvillon mobilitetin e radhës në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në Universitetin WSG në Bydgoszcz, Poloni.
Gjatë këtij mobiliteti, stafi i UKZ-së ka marrë pjesë në ligjërata, punëtori, vizita në kompani të ndryshme, si dhe në takime të shumta ku janë shkëmbyer përvoja dhe janë diskutuar mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Fokus i veçantë iu kushtua mundësive për shkëmbime afatgjata të stafit dhe studentëve, zhvillimit të projekteve të përbashkëta, si dhe krijimit të programeve të përbashkëta studimore “Joint” dhe “Double Degree”, në nivelet bachelor dhe master, veçanërisht në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetin e Shkencave Sociale.
Në kuadër të bashkëpunimit, është diskutuar edhe mundësia që një apo dy studentë nga UKZ të realizojnë një semestër studimi në Universitetin WSG. Po ashtu, u trajtuan tema si organizimi i konferencave të përbashkëta, mobiliteti online i stafit, angazhimi në mësimdhënie në universitetin mikpritës dhe aplikimi për projekte të reja në kuadër të Erasmus+.
Ky mobilitet gjithashtu ka shërbyer si një platformë për zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimit me universitete partnere nga vende si Ukraina, Lituania, Çekia, Kazakistani dhe shtete afrikane. UKZ prezantoi disa nga projektet e saj të reja të miratuara në kuadër të programit CBHE Erasmus+, përfshirë projektet EDUFAIR, DELTA, EMPHASIS dhe AUREA, të cilat nisën zbatimin në vitin 2025. Prezentimi i këtyre projekteve u mirëprit nga audienca ndërkombëtare dhe partnerët e shumtë të pranishëm në takim.
Ky mobilitet dëshmon përkushtimin e UKZ-së ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të mëtejshëm akademik dhe profesional të stafit dhe studentëve të saj.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan