SHËNOHET 5 VJETORI I THEMELIMIT TË UNIVERSITETI PUBLIK “KADRI ZEKA” NË GJILAN

9 Mars, 2018

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, me një ceremoni solemne  ka shënuar 5 vjetorin e themelimit.

Pas intonimit të himneve, atij të Kosovës, Kombëtar dhe himnit të Universitetit të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë rasti Rektori Bajram Kosumi.

Ai  pasi ka uruar të gjithë për 5 vjetorin e themelimit, ka folur për  të arriturat e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, për zhvillimin që nga themelimi  dhe angazhimin e menaxhmentit për avancim të mëtejshëm të këtij universiteti.

Rektori  ka veçuar  vetëm tri zhvillime, të cilat dëshmojnë se kah po ecën UKZ. Ndërlidhjen e mësimit e hulumtimit akademik me bashkësinë, të ardhmen e universitetit dhe studimin e fizibilitetit të tregut dhe atë të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ndërsa, duke folur për 300 studentë  që kanë marrë diplomat e para të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka thënë se diploma e secilit prej tyre bartë në vete mundin e madh të studentit, të profesorëve të tij, të familjes së tij, po dhe të qeverisë së Kosovës e të mbarë shoqërisë. Ajo diplomë në asnjë rast dhe asnjë herë, nuk është vetëm “një copë letër”. Ajo diplomë është treguesi i suksesit të studentit tanë, të profesorit tanë, të shoqërisë sonë dhe të shtetit tone, andaj, ajo diplomë na bën shumë krenarë, ka thënë Rektori Kosumi.

Ai ka ftuar të gjithë, studentë, profesorë, institucione të arsimit, burrështetas, udhëheqës fetarë dhe drejtues institucionesh, që të japim prej vetes maksimumin në hapat e mëtejmë të zhvillimit të arsimit, të ekonomisë, të kulturës, të administratës dhe të gjithave fushave të tjera të jetës në Kosovën tonë të dashur.

Kurse në fjalën e tij kryeministri i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Ramush Haradinaj, duke uruar  Universitetin “Kadri Zeka ” ka thënë se përkrah institucionet e arsimit të lartë, në këtë rast UKZ-në,  që nxënien e dijes ta ofrojmë te studentët.

Kryeministri Haradinaj e quajti moment të veçantë themelimin e Universitetit “Kadri Zeka”,  duke thënë se edhe si shoqëri jemi në nisje. Pesë vjet Universitet, 10 vjet shtet Kosova.  Shtetbërja jonë i ka sfidat dhe vështirësitë e veta, ndoshta edhe defektet e veta, por është vendim i drejtë, jemi në rrugë të drejtë dhe do të vazhdojmë ndërtimin e shtetit tone, Universitetit tonë.

Po ashtu, kryeministri tha se universiteti duhet t’ua mundësoj qytetarëve që në bazë të kritereve racionale ta refuzojnë çdo politikë arbitrare dhe të dhunshme dhe t’i kundërvihen asaj duke synuar idenë e drejtësisë dhe lirisë.

Më tej, kryeministri në fjalën e tij, tha se synimi për të qenë pjesë e botës së përparuar nis me ju, me aftësinë për të ndryshuar mendësinë tonë që studentët kosovarë të konkurrojnë në tregun unik të punës në Bashkimin Evropian. Për të arritur këtë, kryeministri tha se do të jemi të gatshëm të punojmë më shumë për ta ndërtuar një arsim plotësisht të pavarur, të bazuar në kriteret shkencore, emancipuese dhe perëndimore.

Kurse në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjilanit  Lutfi Haziri uroi të gjithë për 5 vjetorin e themelimit. Kryetari Haziri tha se Universiteti “Kadri Zeka” është një vatër e dijes dhe njëherësh është një Universitet që meriton përkrahje të parezervë, pasi që në të studiojnë edhe student nga Lugina e Preshevës dhe më gjerë. Gëzimi i yni i përbashkët tha kryetari Haziri, është që këtë vit tashmë kemi vendimin për ndërtimin e kampusit të ri, që është vendimi më i mirë që kemi punuar jashtëzakonisht shumë së bashku me rektorin Kosumi dhe do të vazhdojmë të punojmë për një universitet të mirëfilltë.

Në emër të studentëve ka folur Kryetari i Parlamentit Studentor, Adrian Bajrami. Ai ka thënë se ndjehem moralisht i obliguar te falënderoj çdo studente për kontributin e tyre te pakursyer ne formësimin e Universitetit. Sipas tij sfidat, brengat dhe shqetësimet e vazhdueshme me të cilat përballemi janë shenjë se po bëhet punë e palodhshme për tu ranguar sa më lartë në vend për cilësi dhe punë të mirëfilltë.

Kryetari i PS ka uruar që përkushtimi i tillë nga ana e menaxhmentit, studentëve të vazhdoj edhe tutje duke i përmbushur objektivat tona afatgjata dhe Universiteti “Kadri Zeka” të jetë lider i cilësie, me studentët te cilët janë model për suksese në rajon dhe më gjere.

Në vazhdim, Rektori Bajram Kosumi  i ka dhënë mirënjohje Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së Tij, z. Ramush Hradinaj, për kontribut në  ngritjen e kampusit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” Gjilan. Kurse  për kontributin e dhënë në zhvillimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, në cilësinë e Kryesuesit të Këshillit Drejtues të Universitet   i ka dhënë mirënjohje Prof. Doktor Honoris Causa, Akademik Fejzullah Krasniqi.

Në vazhdim  Rektori Bajram Kosumi i ka dhënë  diplomën “Student i Dalluar” për nga një studentët me notën më të lartë mesatare në secilin fakultet. Në FakultetiN e Edukimit diplomë ka marrë studentja Ardhmërie Bajrami , në Fakultetin Juridik  Vjosë Avdiu  ka marrë diplomën “Student i Dalluar”, në  Fakultetin Ekonomik diplomën “Student i Dalluar” e ka marrë Atrit Agaj, kurse studentja Dritëlinda Hajdari nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike ka marrë diplomën “Student i Dalluar”. Ky është rasti i dytë që ndahet Diploma Student i Dalluar në UKZ.

Po ashtu Rektori Bajram Kosumi pas propozimeve të Këshilleve të Fakulteteve, ka marrë vendim të ndajë mirënjohje për kontribut akademik për profesorët e Universitetit “Kadri Zeka”. Në  Fakultetin e Edukimit ka marrë mirënjohje  Prof. Ass. Dr. Merxhan Avdyli, në  Fakultetit Juridik Prof. Asoc. Dr. Fejzullah Berisha, kurse në  Fakultetin e Shkencave Kompjuterike mirënjohje për kontribut akademik ka marrë  Prof.Ass. Dr. Basri Ahmedi.

Njëherësh në ambientet e Universitetit “Kadri Zeka”, ka qenë e hapur ekspozita me punime të disa nga artistët figurative të Anamoravës.

Në ceremoninë e shënimit të 5- të vjetorit të UKZ-së të pranishëm ishin  studentë, përfaqësues të Qeverisë , drejtues të bashkësive fetare, dhe të misioneve diplomatike,deputetë në Kuvendin e Kosovës,  rektorë, akademikë, kryetar të komunave të anamoravës, partnerë të Universitetit , e figura të tjera të shquara.

Fjala e rektorit Bajram Kosumi në pesë vjetorin e themelimit të Universitetit Publik Kadri Zeka Gjilan