Senati i UKZ-së ka marrë vendim t’i ndajë titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa” Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj
4 Prill, 2025
Senati i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në mbledhjen e mbajtur 04.04.2025, pas propozimit të Kuvendit Komunal në Gjilan, ka marrë vendim që t’i ndajë titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa” Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Bajram Begaj
Titulli i nderit i jepet me këtë motivacion:
- Për përkushtimin e tij të vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, duke e mbështetur bashkëpunimin politik, ekonomik dhe kulturor në mes shteteve tona;
- Për angazhimin e tij në mbështetje të integrimit evropian të Republikës së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare;
- Për ndihmën institucionale që Shqipëria, nën udhëheqjen e tij, i ofron Kosovës dhe pjesëve shqiptare nga Lugina e Preshevës, sidomos në fushën e arsimimit dhe përfaqësimit kombëtar;
- Për kontributin e tij në forcimin e bashkëpunimit diplomatik mes dy vendeve dhe promovimin e interesave kombëtare në arenën ndërkombëtare;
- Për ndihmën dhe mbështetjen e tij në zhvillimin dhe fuqizimin e institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës;
- Për angazhimin e tij në mbështetjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve të tyre për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon;
- Për përpjekjet e tij në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në nivel ndërkombëtar, si dhe për mbështetjen e trashëgimisë kombëtare të Republikës së Kosovës;
- Për përkushtimin e tij ndaj zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i Senatit
Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku
Rektor