Dekani i Fakultetit Ekonomik të UKZ, Prof. Ass. Dr. Xhevat Sopi, së bashku me Koordinatorin për cilësi të Fakultetit, Ass. PhD. C. Nexhat Shodra, dhe Koordinatorin e UKZ për bashkëpunim me biznese, Ass. PhD. C. Lulzim Rashiti, ka mbajtur një takim me Këshillin e Studentëve të Fakultetit Ekonomik, të kryesuar nga kryetarja, Dorenttina Zeqiri. Temë qendrore ishte bashkëpunimi dhe koordinimi në funksion të rritjes së cilësisë në Fakultetin Ekonomik. Në këtë takim fillimisht janë shkëmbyer informacione për punën që është bërë nga fillimi i këtij viti akademik dhe procesi nëpër të cilin po kalon Fakultetit Ekonomik, që është ai i përgatitjes për akreditim dhe masat për rritjen e cilësisë. Dekani, Prof.Ass.Dr. Xhevat Sopi, i njoftoi studentët me disa nga masat që janë ndërmarrë deri tash për ngritjen e cilësisë dhe ato që priten në vazhdim, ndërkohë që kërkoi nga studentët që të jenë pjesë e përbashkët e realizimit të këtij qëllim madhor.
Studentët janë pajtuar me qëndrimin se avancimi i përgjithshëm i Fakultetit Ekonomik dhe me theks të veçantë ngritja e cilësisë, janë qëllim i përbashkët i stafit dhe studentëve. Kryetarja e Këshillit të Studentëve të Fakultetit Ekonomik, Dorentina Zeqiri, ka prezantuar punën që kanë bërë studentët në organizimin e tyre pas zgjedhjeve dhe ka shprehur gatishmërinë e studentëve që të japin kontributin e tyre në angazhimet për ta çuar përpara Fakultetin Ekonomik. Më tutje, studentët e kanë njoftuar Dekanin për problematika me të cilat ata po ballafaqohen, si infrastrukturore, organizative por edhe raste kur nuk janë të kënaqur me mënyrën e organizimit të procesit akademik (ligjëratave, provimeve, vijueshmërisë). Ata kanë shprehur nevojën që në disa raste të avancohet me metodat mësimdhënies në mënyrë që procesi mësimor të rezultojë më efektiv.
Dekani i FE, Prof.Ass.Dr. Xhevat Sopi, inkurajoi studentët që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në të mirë të interesit të përgjithshëm duke ju ofruar mbështetje të pakursyer. Dekani dhe studentët u dakorduan që të vazhdojnë me takime të tilla të rregullta.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan