Rektorit Dërmaku i dhurohen dy libra nga Prorektori Mustafa

9 Dhjetor, 2024

Rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, iu dhuruan dy libra me vlerë të lartë shkencore nga Prorektori për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë në UKZ, Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa.

Libri i parë me titull:”Μenaxhimi i biznesit të vogël dhe të mesëm”, është shkruar për të plotësuar një nevojë të gjatë për një tekst mësimor dhe shkencor bashkëkohor për studentët e ekonomisë në fushën e menaxhimit të bizneseve të vogla dhe të mesme (NVM). Libri përqendrohet në aspektet praktike të menaxhimit të NVM-ve, duke ofruar një udhëzues për drejtuesit e këtyre bizneseve për të përmirësuar operacionet dhe për të qëndruar konkurrues në një treg dinamik. Përmbajtja e librit përfshin strategjitë për planifikim dhe operacione efektive, menaxhimin financiar dhe gjetjen e burimeve të financimit, përmirësimin e aftësive menaxheriale dhe zhvillimin e konkurrencës, përballjen me sfidat e ekonomisë digjitale dhe globalizimit.

Ky libër shërben si një burim i vlefshëm për ndërmarrësit dhe menaxherët që duan të përmirësojnë praktikat e tyre dhe të përmbushin objektivat në një mjedis biznesor të vazhdueshëm në ndryshim.

Libri i dytë që është monografia me titull: Roli i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në ekonominë e tregut dhe politikat mbështetëse institucionale – Qasje Teorike dhe Zbatime Praktike, trajton rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në ekonominë e tregut dhe analizon politikat institucionale që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori. Libri përqendrohet në qasje teorike mbi rolin e NVM-ve në ekonomi, në zbatime praktike të politikave mbështetëse, duke përfshirë subvencionet, grantet dhe programet e trajnimit, si dhe sjellë rekomandime për përmirësimin e kuadrit institucional dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin ekonomik.

Ky libër synon të ndihmojë studiuesit, politikëbërësit dhe drejtuesit e biznesit për të kuptuar më mirë sfidat dhe nevojat e NVM-ve në një ekonomi të globalizuar dhe digjitale.

Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku falënderoi Prorektorin Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa për këto libra të çmuara dhe për kontributin e tij në pasurimin e literaturës shkencore dhe praktike. Ai theksoi rëndësinë e botimeve të tilla, duke u shprehur se ato jo vetëm pasurojnë literaturën akademike dhe shkencore, por gjithashtu shërbejnë si një udhërrëfyes i vlefshëm për të gjitha palët e interesuara.

“Botime të këtij niveli duhet të jenë një shembull frymëzues për gjithë stafin akademik dhe kërkimor të Universitetit Publik ‘Kadri Zeka’. Universiteti do të vazhdojë të përkrahë botimet dhe publikimet e stafit, duke ofruar mbështetje të plotë për zhvillimin profesional dhe akademik.”

Rektori  Dërmaku nënvizon përkushtimin e tij për të inkurajuar në punime dhe botime që pasqyrojnë punën kërkimore dhe angazhimin profesional të stafit universitar.