Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” ka pritur në një takim dy studentët bursistë të programit Erasmus +, Xheneta Vranovci, studente e Fakultetit Ekonomik dhe Buen Bajrami, student i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Kadri Zeka” . Me këtë rast Rektori Bajram Kosumi i ka uruar për suksesin e arritur dy studentët, duke thënë se është i kënaqur që studentë tanë janë pjesë e aktiviteteve universitare me karakter ndërkombëtar.
Rektori Kosumi ka thënë se suksesi i këtyre studentëve është një shembull i mirë edhe për të tjerët se me punë arrihet shumë. “Shpresojmë se shembullin tuaj do ta ndjekin edhe shumë studentë të tjerë, në mënyrë që të hapim sa më shumë perspektivën për të rinjtë tanë”, ka thënë mes tjerash Bajram Kosumi.
Nga ana tjetër dy studentët bursist kanë falënderuar Rektorin e UKZ-së për mbështetje dhe kanë shprehur vendosmërinë e tyre që ta përfaqësojnë sa më denjësisht Universitetin “Kadri Zeka” në Universitetin e Paderbornit të Gjermanisë, ku njëherësh janë duke ndjekur studimet.
Ndryshe, ky rezultat i bursistëve është arritur krahas projekteve të përbashkëta dhe bashkëpunimeve mes Universitetit “Kadri Zeka” dhe universiteteve të ndryshme nëpër botë. Kështu në kuadër të projektit Erasmus Mundus Green Tech, dy studente Xheneta Vranovci, student e Fakultetit Ekonomik dhe Buen Bajrami, student i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Kadri Zeka” , kanë përfituar një bursë një-vjeçare për të studiuar në Paderborn të Gjermanisë, bursa këto që janë ndarë për vitin akademik 2015/2016.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan