Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” ka pritur në takim përfaqësues të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore

27 Shkurt, 2025

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka pritur në një takim presidentin e Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me seli në Zvicër PhD. Dashnim Hebibi i shoqëruar nga bashkëveprimtari Rafet Ademi.  Ky takim ka pasur për qëllim krijimin e mundësive të bashkëpunimit akademik dhe shkencor mes universitetit dhe diasporës, duke njohur përvojat e suksesit të gjeneratave të reja të diasporës në fushën e dijes.

Me këtë rast Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, pasi nënvizon angazhimin për forcimin e lidhjeve akademike dhe shkencore me institucionet e diasporës, duke përfshirë Institutin Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, tha se si Universitet jemi të gatshëm të bashkëpunojmë ngushtë për promovimin e dijes dhe zhvillimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin. “Krijimi i urave të bashkëpunimit me mërgatën shqiptare është një mundësi e shkëlqyer për t’i dhënë një kontribut të mëtejshëm zhvillimit të arsimit dhe kërkimit shkencor dhe ne do të jemi gjithmonë të hapur për partneritete të tilla’, ka thënë Rektori Dërmaku.

Presidenti i Institutit, PhD. Dashnim Hebibi dhe bashkëveprimtari Rafet Ademi e informuan rektorin Dërmaku për planet dhe objektivat e institutit, si dhe interesin për një bashkëpunim të ngushtë me Universitetin Publik “Kadri Zeka”.

Presidenti Hebibi i dhuroi Rektorit Dërmaku dy libra me vlera kombëtare: “Lugina e Preshevës, pjesë e unitetit kombëtar” dhe “Atdheu portativ”.

Ky takim i rëndësishëm është një hap përpara në forcimin e lidhjeve akademike dhe shkencore mes institucioneve shqiptare brenda dhe jashtë vendit, dhe pasqyron angazhimin e Universitetit “Kadri Zeka” për të thelluar bashkëpunimin ndërkombëtar.