Libri ”Zhanret e gazetarisë” i Rektorit të Universitetit “Kadri Zeka” Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi ka dalë nga shtypi këtë javë, kurse do të promovohet të martën, më 15.11.2016 në orën 12.00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Në këtë libër, si askund tjetër më mirë, studiohen zhanret e gazetarisë, duke i parë ata sipas rëndësisë së tyre, të paraqitur po sikurse në kopertinën e përparme të librit, në formë të piramidës së përmbysur.
Rektori Kosumi, duke gjetur modele të ndryshme të zhanreve, të publikuara në mediet shqipe dhe të huaja, në këtë libër tregon se si shkruhen ato dhe si shkruhen edhe tekstet e tjera gazetare. Sqaron, mjaft hollësisht, edhe teorinë për ndarjen e zhanreve në informative, analitike, publicistike e argëtuese.
“Zhanret e gazetarisë”, thënë shkurt e thënë shqip, shtjellon praktikisht dhe teorikisht katër format e gazetarisë: gazetarinë informative (lajmin, raportin, flesh lajmin, fotolajmin, nekrologjinë); gazetarinë analitike (intervistën, editorialin, komentin, analizën, kolumnën); gazetarinë letrare (reportazhin, udhëpërshkrimin, polemikën, pamfletin, kozerinë, recensionin, portretin etj.) dhe gazetarinë argëtuese.
Libri ka 412 faqe dhe është i ndarë në pesë pjesë.
Në pjesën e parë trajtohet “Teoria e zhanrit gazetar”, në të cilën jepen sqarime teorike e praktike për ndarjen e gazetarisë sipas faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Në këtë pjesë autori argumenton se ekziston teoria e gazetarisë, se ekzistojnë tipat e saj, se ekzistojnë zhanret e saj, se ka edhe rregulla të shkrimit të lajmeve të saj, se ekziston një diskurs i veçantë i saj, se kjo gazetari ka parime, se nuk i ka vetëm pesë-gjashtë pyetje. Për ta bërë ndarjen e zhanreve autori bazohet mbi dy parime mbi të cilat e bën emërtimin e secilit tekst që publikohet në medie. Është qëllimi përmbajtjesor dhe është struktura tekstore që e nxitin të bëjë këtë klasifikim zhanror. Të dy këta janë faktorë të brendshëm, që janë brenda tekstit, jo jashtë tij. Mbi këto parime, autori e bën ndarjen e gazetarisë në katër zhanre kryesore, në gazetari informative, analitike, publicistike dhe argëtuese.
Pjesa e dytë e librit fillon me “Gazetarinë informative”, duke nisur nga shkrimi i lajmit e deri te format e shkurtra të lajmit. Në këtë kapitull sqarohet shkrimi i lajmit prej titullit, kreut e deri te pjesa e fundit. Aty trajtohen edhe shkrimet e veçanta (feature) e deri te nekrologjia, tekst ky që shkruhet për njerëzit që kanë vdekur, por që kanë lënë diçka të veçantë në jetën e tyre.
Pjesa e tretë e librit shtjellon gazetarinë analitike. Nis prej editorialit, llojet e tij, vazhdon me komentin, analizën, kolumnën, intervistën dhe përfundon me anketën.
Në pjesën e katërt trajtohet gazetaria letrare ose publicistike. Autori i librit, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi konstaton se, për dallim prej gazetarisë informative, analitike, gazetaria publicistike është kur autori merr edhe elemente prej letërsisë dhe i përdor në gazetari siç janë përshkrimi, dialogu, monologu, personazhet etj. Në këtë zhanër të gazetarisë bëjnë pjesë: reportazhi, udhpërshkrimi, polemika, pamfleti, kozeria, recensioni, eseja, portreti e shënimi.
Në pjesën e fundit të librit të rektorit Kosumi klasifikon edhe gazetarinë argëtues, tekste këto që së pari kanë për qëllim të argëtojnë e pastaj të informojnë për gjëra që kanë ndodhur në fusha të ndryshme si në shou biz etj.
Para këtij libri, rektori i Universitetit “Kadri Zeka” Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi ka botuar edhe librin “Tipologji dhe zhanër”, një libër, po sikurse ky i tashmi, teorikë e studimorë, të cilët i kanë munguar gazetarisë shqipe.
Kosumi është autor edhe i librave: “Koncept për subpolitikën”, “Fjalor i Barbarëve”, “Koncept për mendimin e ri politik”, “Lirika e Fishtës”, “Një vit vendimtar”, “Letërsia nga burgu”, “Fishta dhe tradita letrare shqiptare”.
Librin “Zhanret e gazetarisë”, përpos studentët e gazetarisë, mund ta përdorin edhe studiuesit e tekstit dhe të zhanreve në gjuhësi, letërsi etj., edhe drejtuesit e të gjitha medieve. Ky libër, pos sikurse fjalorët drejtshkrimorë e shpjegues të shqipes, ia ofron çdokujt mundësinë ta kuptojë më thjesht, më shpejt dhe më saktë natyrën e gazetarisë dhe rregullat për shkrimin e zhanreve të saj.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan