Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka pritur në takim Prof. Dr. René Zeier, profesor në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara dhe Arteve në Universitetin e Luzernit, Zvicër, dhe njëherësh Drejtues i Programeve dhe Projekteve të Sipërmarrësve “Smart-up”.
Gjatë takimit u diskutua rreth krijimit të urave të reja bashkëpunimi midis UKZ dhe Universitetit të Luzernit, duke synuar shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e sipërmarrësisë te studentët e të dyja institucioneve. Programi dhe projekti përfshijnë mbështetjen nga Swiss Contact dhe nga Universiteti i Luzernit për studentët që kanë nisur biznese “Start-Up” ose biznese të stabilizuara në tregun vendor. Këto biznese do të përfitojnë nga ekspertiza zvicerane përmes trajnimeve dhe zhvillimit të platformave që ndihmojnë në maksimizimin e fitimeve, rritjen e shitjeve, eksportit, dhe marketingut profesional. Përvojat e ndryshme të kompanive të njohura botërore do të zbatohen përmes një grupi ekspertësh zviceranë, të cilët do të realizojnë trajnime në Universitetin Publik “Kadri Zeka”.
Rektori Porf. Asoc. Dr. Artan Dërmaku theksoi se ky takim është një hap përpara drejt ndërkombëtarizimit të UKZ-së, me qëllim që studentët e universitetit të përfitojnë nga eksperiencat ndërkombëtare dhe nga praktikat më të mira.
Gjatë takimit, Rektori Dërmaku dhe profesori Zeier po ashtu diskutuan mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Universitetit të Luzernit, Zvicër. Ky bashkëpunim strategjik do të hapë rrugë për zhvillimin e projekteve me ndikim, që synojnë avancimin e arsimit të lartë dhe përgatitjen e brezave të rinj për të qenë liderë të ardhshëm në fushat e tyre përkatëse.
Prof. Dr. René Zeier, së bashku me ekipin e UKZ-së, vizitoi gjithashtu disa biznese në Gjilan për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit nga afër.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan