Rektori i UKZ-së priti në takim Komandantin e KFOR-it Turk në Gjilan

21 Nëntor, 2024

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me Prorektorët, ka pritur sot në një takim Major Yunus Yıldız, Komandant i Ekipit Monitorues të Mbikëqyrjes (LMT) të KFOR-it Turk në Gjilan.

Në takim u diskutuan disa tema me interes të përbashkët, duke përfshirë kuotat për komunitetin turk në universitet, mbështetjen për përmirësimin e infrastrukturës së institucionit, dhe mundësitë për bashkëpunim në fushën akademike dhe teknologjike.

Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte mundësia për të inkorporuar në programet studimore të Universitetit Publik “Kadri Zeka” teknologjinë e avancuar të prodhimit turk, siç është droni “Bayraktar”. Ky propozim përfshin fushat e shkencave kompjuterike, ku Rektori theksoi rëndësinë e përfshirjes së teknologjive inovative në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, duke vlerësuar lart potencialin e bashkëpunimit me KFOR-in Turk. Rektori Dërmaku shprehu falënderimet e tij për gatishmërinë e KFOR-it Turk për të mbështetur universitetin, duke e cilësuar bashkëpunimin si një urë të rëndësishme mes institucioneve. “Ne e vlerësojmë shumë gatishmërinë e bashkëpunimit dhe falënderojmë ekipin për vizitën e tyre,” tha ai.

Nga ana tjetër, Major Yunus Yıldız falënderoi rektorin dhe stafin e universitetit për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve mes komunitetit turk dhe institucioneve arsimore në Kosovë.

Takimi u përmbyll me zotimin për vazhdimin e bashkëpunimit në projekte që do të sjellin përfitime për të rinjtë dhe zhvillimin akademik në rajon.