Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Porf. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka pritur në takim studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, të cilët fituan dy çmime në Festivalin e Shkathtësive Digjitale 2024, mbajtur të shtunën në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, si dhe Dekanen e FSHK-së Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni dhe Prodekanen Prof. Ass. Dr. Aferdita Ibrahimi.
Me këtë rast Rektori Dërmaku duke uruar studentët për suksesin e arritur, ka thënë se fitorja juaj në Festivalin e Shkathtësive Digjitale 2024 , është dëshmi e punës tuaj të palodhshme, përkushtimit dhe aftësive tuaja të jashtëzakonshme. “Pjesëmarrja juaj në kategoritë e ndryshme të këtij festivali dhe fitimi i dy çmimeve prestigjioze, ai i vendit të parë në programin Young Innovators me platformën digjitale “EcoSwap”, ashtu edhe vendi i dytë në garën e Hackathon-it me projektin “Real Time Traffic Monitoring”, është një arritje që na mbush me krenari të gjithë neve në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, ka thanë Rektori Artan Dërmaku.
Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka thënë se kjo fitore tregon se ju, studentët tanë, jeni të gatshëm për të përballuar sfidat e shekullit XXI me zgjidhje inovative dhe mendje të hapur. Ju keni treguar se potenciali juaj është i pakufishëm dhe se përmes inovacionit dhe përkushtimit, mund të arrini majat më të larta të suksesit.
Rektori njëherësh ka përgëzuar edhe profesoreshat, Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni dhe Prof. Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi, për mentorimin dhe mbështetjen e tyre të palodhshme ndaj studentëve.
Porf. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ka inkurajuar studentët që të vazhdojnë me mësime, duke thënë se kjo fitore le të jetë frymëzim i udhëtimeve tjera të reja të mbushura me suksese dhe arritje të mëdha në të ardhmen, sepse arritjet tuaja janë burim krenarie për universitetin tonë dhe një shembull frymëzues për të gjithë komunitetin tonë akademik.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan