Nga vizita zyrtare në Poloni e delegacionit nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, i përbërë nga Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, sot është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Nysa.
Kështu marrëveshja e nënshkruar nga Rektori Dërmaku, synon krijimin e një programi të përbashkët në fushën e Kozmetologjisë, në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të UKZ.
Në takimin e zhvilluar, përfaqësuesit e të dyja universiteteve diskutuan për programe të dyfishta studimi, pjesëmarrjen e studentëve të UKZ në Shkollën Verore të Universitetit të Nysës, si dhe bashkëpunimin në projekte ndërkombëtare si Erasmus+ CBHE dhe Horizon Europe.
Ky bashkëpunim i ri është pjesë e përpjekjeve për të thelluar shkëmbimin akademik dhe mobilitetin e stafit, duke u bazuar në marrëveshjen ekzistuese Erasmus+ për Mobilitet KA171, të nënshkruar vitin e kaluar.
Me ketë rast Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku shprehu entuziazmin për zhvillimin e një programi të përbashkët në fushën e Kozmetologjisë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të ofertës akademike të UKZ-së në fusha të reja dhe inovative. Ai theksoi se ky program do t’i hapë dyer të reja studentëve tanë, duke krijuar mundësi për t’u pajisur me aftësi që janë në kërkesë në tregun global të punës.
Rektori Dërmaku gjithashtu vlerësoi rolin kyç të programeve të dyfishta në ndërtimin e kompetencave të studentëve dhe rritjen e nivelit të tyre akademik. Ai potencoi se përfshirja e studentëve të UKZ në Shkollën Verore të Universitetit të Nysës do të jetë një mundësi e shkëlqyer për zhvillim personal dhe akademik.
Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku njëherësh falënderoi partnerët e Universitetit të Nysës për mirëpritjen dhe mbështetjen, duke shprehur bindjen se ky bashkëpunim do të sjellë përfitime afatgjata për të dy universitetet. Ai gjithashtu nënvizoi gatishmërinë e UKZ-së për të mirëpritur profesorë nga Nysa në mënyrë që të ndihmojnë në zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe forcimin e mësimdhënies.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan