Rektori i UKZ priti një delegacion të lartë nga institucionet turke dhe përfaqësues të Bashkësisë Islame në Kosovë

16 Maj, 2025

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku së bashku me prorektorët, ka pritur sot në një takim zyrtar një delegacion të lartë nga përfaqësues të institucioneve turke arsimore, kulturore dhe fetare, si dhe përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Delegacioni përbëhej nga Bünyamin Albayrak, Këshilltar për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Kosovë, Ramazan Yılmaz, Drejtor i Qendrës Kulturore “Yunus Emre” në Prishtinë, Veysel Erdel Këshilltar për Arsim pranë Ambasadës së Turqisë, Nedim Arslan Drejtor i Përgjithshëm i Fondacionit “Maarif” dhe Shkollave Ndërkombëtare “Maarif”, Ahmet Saçit Këshilltar për Kulturë, Vedat Sahiti Kryeimam i Republikës së Kosovës dhe Naim Aliu Kryetar i Bashkësisë Islame në Gjilan.

Gjatë takimit u diskutuan mundësi të shumta për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe institucioneve të lartpërmendura, me theks të veçantë në bashkëpunimi akademik dhe shkëmbimet ndëruniversitare. Përfaqësuesit nga Fondacioni “Maarif” dhe Ambasada e Turqisë shprehën gatishmërinë për të krijuar ura bashkëpunimi ndërmjet UKZ-së dhe universiteteve turke, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve për shkëmbim të stafit akademik, studentëve dhe projekteve të përbashkëta kërkimore. Po ashtu u bashkwbisedua për mbështetje me ekspertizë dhe trajnime profesionale, ku u theksua mundësia që Fondacioni Maarif dhe Qendra “Yunus Emre” të ofrojnë trajnime për stafin akademik dhe administrativ të universitetit, si dhe mundësinë e organizimit të seminareve, punëtorive dhe konferencave shkencore të përbashkëta. Qendra Kulturore “Yunus Emre” shprehu gatishmërinë për të organizuar kurse të gjuhës turke për studentët dhe stafin e universitetit, si dhe aktivitete kulturore që synojnë nxitjen e dialogut ndërkulturor. Delegacioni diskutoi edhe mundësitë për ofrimin e mbështetjes materiale për universitetin, në formë pajisjesh laboratorike, literaturës akademike, ose përkrahjes në ndërtimin e hapësirave të reja mësimore e kërkimore.

Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku i falënderoi mysafirët për vizitën dhe interesimin për të ndihmuar zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit “Kadri Zeka”, duke theksuar se çdo formë e bashkëpunimit që ndihmon studentët, ngritjen e cilësisë dhe ndërkombëtarizimin e institucionit është e mirëpritur. “Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpresim një delegacion kaq të rëndësishëm nga institucionet arsimore, kulturore dhe fetare. Ky takim dëshmon përkushtimin tonë për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërkombëtar që sjellin vlera konkrete për studentët dhe stafin tonë. Universiteti Publik “Kadri Zeka” është i hapur për bashkëpunime që ndikojnë pozitivisht në cilësinë e arsimit, zhvillimin profesional dhe shkëmbimet akademike. Ne e vlerësojmë lart interesimin e këtyre institucioneve për të kontribuar në fuqizimin e rolit të universitetit në shoqëri,” ka thënë Rektori Dërmaku.