Rektori Dërmaku mori pjesë në ceremoninë për shënimin e 14-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës

24 Tetor, 2023

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, të hënën ka marr pjesë në ceremoninë për shënimin e përvjetorit të 14-të të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në këtë ceremoni, kanë marr pjesë krerë të institucioneve publike, partive politike, ambasadorë, përfaqësues të ndërkombëtarëve e delegacione nga e mbarë bota po marrin pjesë në shënimin e përvjetorit të 14-të të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Rektori Dërmaku ishte i shoqëruar nga profesori i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Sadik Haxhiu

Me këtë rast, Gresa Caka Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese foli për punën e bërë gjatë kësaj periudhe, deri sa nuk la pa përmendur as kritikat e sulmet verbale që kanë marrë ndër vite.

Ajo theksoi se kjo gjykatë, simbol i një rendi të pavarur kushtetues është ndeshur me interpretimin dhe mbrojtjen e kësaj kushtetuese. 14 vite më parë gjenerata e parë mori përgjegjësinë për të interpretuar një kushtetutë të një shteti të posa themeluar.  “Ndërveprimi mes pushteteve krijon edhe tension mes tyre, ky tension reflekton faktin se demokracia në Republikën e Kosovës funksionon. Mungesa e tensionit nënkupton që nuk po ruhet ekuilibri i duhur kushtetues. Ky tension jo rrallëherë është manifestuar edhe në sulme ndaj gjykatës. Kushtetuta është edhe përkushtimi kolektiv i të gjitha autoriteteve për një shtet të së drejtës. Gjykata do t’i qëndrojë besnike parimeve”, theksoi  kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, të pranishmëve përmes një video-adresimi, iu drejtua edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.