Në kuadër të Javës Kulturore Ndërkombëtare për nder të Festave të Nëntorit, në Akademinë e Shkencës së Shqipërisë është promovuar libri “Enciklopedia Imagjinare-Postroman” i ish-rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Prof. Dr. Bajram Kosumi.
Në këtë organizim ka marrë pjesë Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku me bashkëpunëtorë.
Në fjalën e tij, Rektori Dërmaku pasi ka përshëndetur të pranishmit, ka uruar ish Rektorin Kosumi për librin, duke thënë se veprave të mira të shkruara nga Prof. Dr. Bajram Kosumi, po i shtohet edhe kjo kryevepër e tij. Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ka thënë se, ne si Universitet i gëzohemi në vazhdimësi sukseseve të Prof. Dr. Bajram Kosumi, sepse e ndjejmë si pjesë të universitetit tonë.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë Akademik, Diplomat, Shkrimtarë e Profesorë universitar, të cilët e vlerësuan lartë kryeveprën e autorit Bajram Kosumi. Ata thanë se në tekstin 772 faqësh të librit “Enciklopedia Imagjinare-Postroman”, autori Bajram Kosumi, ngërthen në vete rrëfime që mund të ngjasojnë me shqiptarët, po ashtu edhe me gjithë Ballkanin. Sipas tyre libri “Enciklopedia Imagjinare-Postroman” është eksperimenti më i madh në letërsi. Këtë primat ia dedikojnë faktit të mbiemërimit “postroman”, që thonë se është vula e këtij eksperimenti dhe e vendos Enciklopedinë imagjinare në hierarkinë e teksteve letrare.
Ish Rektori Kosumi tha se ky tekst sjellë risi në letërsinë shqipe, pasi për herë të parë futet termi “postroman” dhe bashkëdyzohet “enciklopedia” me “imagjinaren”.
Sipas autorit ky tekst kishte nisur së shkruari nga qelitë e Burgut të Nishit gjatë viteve 1985-1986 (derisa ishte i burgosur politik) dhe e përfundoi në vitin 2022 në Prishtinë.
Libri “Enciklopedia imagjinare/Postroman” fillon me një parathënie të autorit Prof. Dr. Bajram Kosumi ku shpjegon idenë filozofike të librit dhe vazhdon me tregimet për njerëzit, mendimet, veprimet, proceset dhe shfaqjet psikologjike, sociale e historike në jetën e ishullarëve. Tematikat e motivet, personazhet e ngjarjet e paraqitur në libër, nisen nga një sfond historik dhe përfundojnë në një realitet imagjinar për situatat e skajshme si burgu, lufta, diktatura, vdekja, dashuria, konfliktet nacionale, politike, fetare, katastrofat etj.
Personazhet e librit janë të shumë strukturave sociale dhe të kohëve të ndryshme, që nga antikiteti e deri te vitet e sotme.
Botues të librit “Enciklopedia Imagjinare-Postroman” e autorit Prof. Dr. Bajram Kosumi janë shtëpia botuese Artini dhe Toena.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan