Rektori Dërmaku ka marrë pjesë në Konferencën e Rektorëve të Universiteteve Publike në Kosovë

13 Dhjetor, 2024

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, mori pjesë në mbledhjen e radhës të Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në Kosovë, e cila u mbajt në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.

Gjatë këtij takimi, rektorët e universiteteve publike zgjodhën Prof. Dr. Arben Hajrullahun, rektorin e Universitetit të Prishtinës, si kryesues të ri të Konferencës së Rektorëve. Në pozitën e zëvendëskryesuesit u emërua Prof. Dr. Mentor Alishani, rektor i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Në fjalën e tij, rektori Hajrullahu theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve publike në Kosovë. Ai vuri theksin tek rëndësia e këtyre takimeve për të koordinuar politikat që synojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në vend.

Mbledhja mblodhi së bashku rektorët e universiteteve publike nga e gjithë Kosova, përfshirë edhe Prof. Dr. Armand Krasniqi, rektor i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”; Prof. Dr. Agron Bajraktari, rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj; Prof. Dr. Drilon Bunjaku, rektor i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”; si dhe Prof. Dr. Mihane Kerolli, rektore e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.

Gjatë mbledhjes u diskutuan gjithashtu sfidat aktuale të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë, si dhe hapat që duhen ndërmarrë për të rritur bashkëpunimin dhe efikasitetin e institucioneve arsimore.

Mandati i kryesuesit të ri të Konferencës do të zgjasë një vit, dhe puna e këtij forumi mbështetet nga udhëzimet administrative të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Konferenca shërben si një platformë e rëndësishme për hartimin dhe zbatimin e politikave që ndikojnë në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë.

Pjesëmarrja aktive e rektorit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dëshmon përkushtimin e Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” ndaj përmirësimit të vazhdueshëm të arsimit dhe bashkëpunimit ndër-universitar.