REKTORI BAJRAM KOSUMI NGUSHËLLON FAMILJEN E VEPRIMTARIT ADEM DEMAÇI

27 Korrik, 2018

E nderuara Familje Demaçi,

Pranoni ngushëllimet dhe dhimbjen tonë për vdekjen e Njeriut të Epokës, Adem Demaçit.

Demaçi ka një çmim, një shërbesë dhe një kontribut, për të cilin do të mbahet në mend në histori: ai e mbajti të gjallë idealin e lirisë shqiptare, e mbajti të ndezur për dyzet vjet zjarrin e lirisë, si një Atë parahistorik i cili e ka ruajtur zjarrin për njerëzimin, apo si Prometheu i cili ua dhuroi atë njerëzimit. Askujt më mirë se këtij Demaçi nuk i rrinë lutjet e Moisiut drejtuar Hyjit “…dyzet vjet shpresën ma yshqeve”, si në vargjet e Nolit.

Ai nuk e la të vdiste këtë ideal për dyzet vjet, edhe në çastet më të vështira, edhe atëherë kur të gjithë prisnin vdekjen e këtij ideali dhe shuarjen e këtij zjarri, edhe atëherë kur as dielli nuk dukej askund në horizont. Edhe atëherë ai e ujiste bimën e lirisë me djersën dhe gjakun e tij. Për dyzet vjet ai e ushqeu lirinë, ai qe kopshtari-shpesh herë i vetëm- i lirisë, kujdestari fanatik i tempullit të lirisë. Ai nuk e la për asnjë çast të shuhej flaka e lirisë edhe atëherë kur e godisnin, edhe atëherë kur e shanin, edhe atëherë kur e pështynin, edhe atëherë kur i thoshin armik e tradhtar, edhe atëherë kur i thoshin më mirë të kishe vdekur në burg se sa që ke mbetur gjallë! Kur të gjithë u lodhën, ai nuk u lodh. Kur të gjithë dyshuan te ëndrra e lirisë, ai foli për lirinë. Ai qëndroi me pishtarin e lirisë në duar edhe atëherë kur mund t’i dilte shpirti nga trupi.

 

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Adem Demaçi.

 

Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi

          Rektori i UKZ-së

Leter ngushellimi per veprimtarin Adem Demaqi

Shkarko