Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Aoc. Dr. Artan Dërmaku, Prorektorët, Dekanët e njësive akademike, profesorë dhe kryetari i Parlamentit Studentor, kanë marrur pjesë në inaugurimin e shtatores së heroit të kombit Kadri Zeka, emrin e të cilit e mban Universiteti ynë, organizim ky që është mbajtur në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2024”.
E derdhur në bronz, shtatorja e heroit Kadri Zeka ka bashkuar përfaqësues të institucioneve dhe personalitete të ndryshme shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Lugina e Preshevës, drejtues komunash, ministra e deputetë, familjarë të heronjve e dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, bashkëveprimtarë e pasues të heroit Kadri Zeka e të tjerë, duke e bërë Gjilanin të shndërrohet në kryeqendër të shqiptarëve.
Zbulimin e shtatores së heroit Kadri Zeka e kanë bërë Rektori i UKZ-së Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, kryetari i komunës së Gjilanit Alban Hyseni, personalitete e familjarë dhe bashkëveprimtarë të Kadri Zekës.
Ndërkohë Rektori më bashkëpunëtorë, ka vizituar edhe familjen e heroit Kadri Zeka, ku ka thënë se, ju familjarë duhet të jeni krenar me veprën madhore të Kadriut, i cili punoi për lirinë e vendit tonë të cilën ne po e gëzojmë sot e që po e ndërtojmë për çdo ditë. Kjo është edhe porosia e jetës dhe veprës së atdhetarit Kadri Zeka të cilin nuk do ta harrojmë kurrë, dhe me krenari do ta kujtojmë gjithmonë.
Kurse vet familjarët e heroit Kadri Zeka, Izmi Zeka, Zenun Pajaziti si dhe bashkëveprimtarja Saime Isufi, duke falënderuar drejtuesit e UKZ-së për vizitën, thanë se edhe pse kanë kaluar 42 vjet nga rënia e Kadriut, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj, jo vetëm për familjet, por edhe për ata njerzë që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta. Bashkëveprimtarja Saime Isufi, ka kujtuar disa moment të veprimit të Kadriut duke shtuar se ai mund të kujtohet vetëm si i ri, sepse i ri ka shkuar dhe se kujtimet për të dhe shokët e tij që bashkëvepruan nuk mund t’i mundë tirania e kohës e as t’i kapë ndryshku i harresës.
Përndryshe, gjatë ditës, në kuadër të aktiviteteve të parapara të “Flakës së Janarit 2024”, në Teatrin e Qytetit, do të mbahet edhe Akademia kushtuar Kadri Zekës, në të cilën fjalë do të ketë edhe Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Prof. Aspc. Dr. Artan Dërmaku.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan