Rektori Artan Dërmaku ka pritur në takim Kryesuesin e Kuvendit Komunal Kushtrim Kadriu

4 Prill, 2025

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka pritur sot në takim Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Gjilanit, z. Kushtrim Kadriu.

Gjatë takimit, Kryesuesi Kadriu, në emër të anëtarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ka propozuar që Universiteti Publik “Kadri Zeka” t’i ndajë titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa” Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Bajram Begaj.

Ky propozim vjen si shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm të Presidentit Begaj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për mbështetjen e tij ndaj arsimit dhe zhvillimit akademik në rajon.

Rektori Dërmaku e vlerësoi lartë këtë iniciativë dhe shprehu gatishmërinë e Universitetit për të vlerësuar personalitetet që kanë dhënë kontribut të veçantë për kombin dhe arsimin.