Me 24 prill 2020 është mbajtur një takim virtual midis Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës dhe Agjencisë së Akreditimit të Kosovës. Në takim morën pjesë , Prof. Asoc.Dr. Bajram Kosumi, Rektor i Universitetit ‘’Kadri Zeka’’, rektorët e Universiteteve tjera publike, Prof. Dr. Fadil Millaku, kryesues i Konfencës së Rektorëve, Prof. Dr Marjan Demaj, Prof. Dr. Ismet Temaj, Prof. Dr. Alush Musaj, Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe Prof. Ass. Artan Nimani, si dhe Kryesuesi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë Prof. dr. Gazmend Luboteni dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim z. Naim Gashi. Në takim u diskutua për procesin e akreditimit të IAL-të në kushte të Pandemisë me Covid 19.
I gjithë takimi u zhvillua në frymën e rritjes së bashkëpunimit midis Universiteteve publike, KSHC-së dhe AKA-së. Të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi u pajtuan së bashkëpunimi i mirë dhe korrekt midis AKA-së, KSHC-së dhe Universiteteve Publike është në interes të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë dhe në përgjithësi avancimit të arsimit në vendin tonë.
Gazmend Luboteni si kryesues i KSHC-së dhe Naim Gashi drejtor i AKA-së njoftuan Rektorët lidhur me aktivitetet që ka ndërmarrë KSHC-së dhe AKA në situatën e imponuar për shkak të pandemisë Covid 19, në funksion të mbarëvajtjes së procesit të akreditimit, i cili mund të bëhet edhe në distancë, përmes platformave onlajn.
Rektorët e universiteteve publike njoftuan krzesuesin Luboteni dhe drejtorin Gashi lidhur me përgatitjet e këtyre institucioneve për procesin e akreditimit dhe vlerësimit që do të bëhet nga ekspertet ndërkombëtar dhe AKA. Të gjithë u pajtuan për organizimin e një procesi të plotë dhe korrekt të akreditimit të këtij viti.
Po ashtu gjatë këtij takimi onlajn, pjesëmarrësit u pajtuan se bashkëpunimi ndërmjet të gjitha institucioneve të arsimit të lartë e krijon klimë të favorshme për cilësinë në arsim. Në takim u tha se vazhdimi i procesit mësimor në formatin onlajn në të gjitha universitetet publike dëshmon se këto universitete kanë potencial dhe cilësi në procesin e mësimit dhe të hulumtimit.
Po ashtu, u diskutua së të gjithë duhet të angazhohen që të ngritët imazhi i Institucioneve të Arsimit të Lartë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në mënyrë që AKA të rikthehet në institucionet Evropiane për sigurimin e cilësisë, në ENQA dhe EQAR.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan