Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka mbajtur një trajnim të veçantë për stafin akademik, që synon rritjen e përdorimit të sistemit antiplagjiaturë për mbrojtjen e integritetit akademik dhe përmirësimin e cilësisë së punimeve shkencore. Trajnimi kishte për qëllim që të prezantojë dhe të theksojë rëndësinë e përdorimit të këtij sistemi, duke siguruar një zbatim të plotë dhe efikas të tij në proceset akademike dhe kërkimore të universitetit.
Ky trajnim u mbajt nga kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e sistemit antiplagjiaturë, e cila bashkëpunon me universitetin për të garantuar mbështetje teknike dhe funksionalitetet më të avancuara. Ekspertët e kompanisë shpjeguan në detaje se si sistemi mund të përdoret në mënyrë efektive për të kontrolluar dhe analizuar punimet shkencore, me qëllim zbulimin e burimeve të mundshme të plagjiaturës dhe verifikimin e origjinalitetit të përmbajtjes. Një pjesë e rëndësishme e trajnimit ishte fokusuar në aspektin praktik të përdorimit të sistemit për kontrollimin e punimeve me mbështetje të detajuar mbi rezultatet e analizës.
Gjatë trajnimit, u prezantuan edhe funksionalitete të tjera të sistemit, që përfshijnë gjenerimin e raporteve të detajuara për përqindjen e përmbajtjeve të përputhura, identifikimin e burimeve të plagjiaturës, dhe ofrimin e feedback-ut të personalizuar për çdo punim të kontrolluar. Kjo qasje do të ndihmojë stafin akademik të njohë më mirë mundësitë që ofron teknologjia në kontrollimin e punimeve, duke përmirësuar në këtë mënyrë cilësinë dhe saktësinë e vlerësimit të materialeve shkencore dhe studimore.
Trajnimi është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme nga ana e Universitetit Publik “Kadri Zeka” për të përforcuar standardet akademike dhe për të përmbushur kërkesat bashkëkohore në fushën e edukimit të lartë. Përdorimi i sistemit antiplagjiaturë është një hap thelbësor në këtë drejtim, duke ndihmuar në sigurimin e transparencës, ndershmërisë, dhe besueshmërisë në punën akademike të studentëve dhe stafit të universitetit.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan