Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në bashkëpunim me HERAS+, ka organizuar punëtori për të diskutuar rreth rangimit të universitetit.
Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin menaxhmenti UKZ-së, dekanët, stafi akademik e administrativ si dhe përfaqësuesit nga projekti HERAS+.
Hapjen e punëtorisë e bëri Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka dhe Nehat Dervishi, Koordinator Tematik për Arsimin e Lartë, Projekti HERAS+.
Prorektori Leka falënderoi HERAS+ për mbështetjen e dhënë për UKZ-në. Ai tha se nuk ka dyshim se rangimi i universiteteve është bërë një pjesë e rëndësishme e pasqyrës së arsimit të lartë, qoftë kjo në nivel global edhe në atë lokal, andaj e vlerësoi të rëndësishëm punëtorinë për rangimin e universitetit.
Eksperti Prof. Dr. Blerim Rexha para të pranishmëve bëri një hyrje rreth rangimit të universiteteve, në ndërkohë paraqiti mënyrën e matjes së shkencës dhe llojet e rangimeve ndërkombëtare
Ai tha se ekzistojnë disa sisteme serioze në botë të rangimit universitar që marrin një qasje globale. Ato janë QS “World University Ranking”; Times Higher Education; Academic Ranking of World Universities (ARWU) – shpesh referohet si renditja e “Shanghai Jiao Tong”, pasi të dhënat përpunohen nga një njësi në Universitetin Shanghai Jiao Tong dhe Web Ranking ose Webometrics, organizatë kjo që kryen një ushtrim shkencor nga Cybermetrics Lab (Këshilli Kombëtar Spanjoll i Kërkimeve, CSIC) për ofrimin e informacionit të besueshëm, shumëdimensional, të përditësuar dhe të dobishëm rreth performancës së universiteteve nga e gjithë bota, bazuar në praninë dhe ndikimin e tyre në internet.
Profesor Blerim Rexha tha se e përbashkëta e këtyre sistemeve është se në renditjet e tyre përfshihet reputacioni i Universitetit, programet e studimit, publikimet dhe kërkimet shkencore të stafit, bashkëpunimi ndërkombëtar, mbështetja e studentëve, numri i të diplomuarve, etj.
Gjatë punëtorisë u rekomandu që puna të fokusohet më së shumti në kategoritë e cekura më lartë, sepse të gjitha ato krijojnë një treg cilësor për dijen, pasi nxisin konkurrencën.
Në këtë mënyrë, nga të pranishmit u vlerësua se renditja e universiteteve është një proces shumë i rëndësishëm dhe shumë efikas, sepse i lehtëson studentët në vendimmarrjen e tyre, por gjithashtu edhe punëdhënësit pasi kanë një pasqyrë më të qartë se çfarë punonjësish duhet të rekrutojnë, andaj i gjithë stafi i UKZ-së duhet të punojë rreth mënyrës së duhur për implementimin hapave në performancën sa më të mirë në matjet e vazhdueshme.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan