Nga radhët e aktiviteteve të shumta të realizuara nga Parlamenti Studentor, është realizuar edhe aktiviteti i radhës me qëllimin e vetëm- Humaniteti.
Parlamenti Studentor së bashku me Këshillat Studentore, shprehëm gatishmërinë t`i dalim në ndihmë familjeve në nevojë, në veçanti axhës Hajrullah Fitinci.
Kryetari i parlamentit Studentor, Adrian Bajrami, tha se Axha Hajrullah i cili tanimë konsiderohet të jetë gjyshi ynë, është 82 vjeçar dhe jeton vetëm në kushte mjaft të vështira por asnjëherë nuk ka pushuar së punuari që prej fëmijërisë së tij, për të siguruar kafshatën e gojës. Puna e tij e palodhshme, vullneti i tij për jetë tha kryetari Bajrami, na preku aq thellë saqë u bë shtysa jonë kryesore për këtë aktivitet.
Gjatë tërë javës Parlamenti studentor ka realizuar aktivitete të ndryshme duke filluar nga mbledhja e fondeve ku secili individ kontribuoi në mënyrë vullnetare, shitjen e ëmbëlsirave në qytet, performancën e disa studentëve që e bënë këtë aktivitet më atraktiv.
Mbi të gjitha pjesë e këtij aktivitete ishte edhe shfaqja e dy filmave në Teatrin e Qytetit, ku interesimi ishte i jashtëzakonshëm dhe ndihmoi përfundimisht të kurorëzohet me sukses dhe të arrihet qëllimi i sigurimit të mjeteve, të cilat sadopak do ta zbusin gjendjen e axhës Hajrullah, tha kryetari i PS Adrian Bajrami.
PS është mirënjohës dhe falënderues ndaj gjithë atyre studentëve vullnetar që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti humanitar.
Studentët treguan shpirtin e tyre human!
Jeta studentore nuk do të kishte kuptim nëse mbetet vetëm brenda kornizave akademike, theksoi ndër tjerash Kryetari i Parlamentit Studentor të UKZ-së, Adrian Bajrami.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan