Prof. Asoc. Dr. Selim Daku nga UKZ ka mbajtur ligjëratë në Universitetin e Çukurovës në Turqi

29 Maj, 2025

Gjatë vizitës zyrtare në Universitetin e Çukurovës në Adana të Turqisë, delegacioni i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i përbërë nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Dekani i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara Prof. Asoc. Dr. Selim Daku dhe Udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar Betim Berisha, po zhvillojnë aktivitete në kuadër të programit të mobilitetit ndërkombëtar ICM (International Credit Mobility).

Prof. Asoc. Dr. Selim Daku mbajti një ligjëratë tematike në Departamentin e Shkencave Politike dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të këtij universiteti, me titull “Kosova – Procesi i Shtetndërtimit”. Ligjërata u prit me interesim të madh nga studentë ndërkombëtarë dhe nga stafi akademik i Universitetit të Çukurovës.

Në paraqitjen e tij, Prof. Daku ofroi një pasqyrë të gjerë të zhvillimeve historike, politike dhe institucionale të Kosovës, duke u ndalur veçanërisht te sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar procesin e shtetndërtimit. Ai gjithashtu theksoi rolin kyç të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rëndësinë e integrimit të Kosovës në strukturat globale.

Ligjërata u shoqërua me diskutime, ku studentët shfaqën interes të veçantë për situatën në Ballkan dhe për rolin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Pyetjet dhe komentet e tyre pasqyruan një kuriozitet të madh dhe dëshirë për të kuptuar më thellë zhvillimet në rajon. Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe Universitetit të Çukurovës, duke nxitur njëkohësisht edhe shkëmbimet kulturore e intelektuale mes studentëve dhe stafit akademik në kuadër të programit ICM.