Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku me bashkëpunëtorë, priti në takim profesorin Nikolaos Panagiotou, udhëheqës i projektit të njohur si Young Cell Scheme (YCS), një program i financuar nga Bashkimi Evropian që së bashku me Qeverinë e Kosovës, kanë hapur thirrjen për bursa post-diplomike për qytetarët e Kosovës. Gjatë takimit, ata diskutuan mundësitë që ky program ofron për studentët e Kosovës, si dhe rolin e institucioneve arsimore në përgatitjen e kandidatëve për përfitimin e këtyre bursave.
Më pas, Rektori Dermaku dhe Prof. Panagiotou zhvilluan një sesion informues me studentët e UKZ-së, ku prezantuan në detaje mundësitë e aplikimit për Raundin XV të bursave Young Cell Scheme, i cili këtë vit është i hapur nga data 8 nëntor deri më 9 dhjetor 2024.
Me këtë rast Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku theksoi rëndësinë e programeve të tilla për studentët e Kosovës, duke nënvizuar se kjo përvojë do t’u japë atyre mundësinë të fitojnë njohuri të rëndësishme ndërkombëtare dhe të kontribuojnë më tej në zhvillimin e administratës publike në vend.
Ky program do të ofrojë rreth 40 bursa të plota për studentët e Kosovës, të cilët do të kenë mundësinë të ndjekin studime master në universitetet anëtare të BE-së në fusha të tilla si: Integrimi Evropian, Juridiku, Mjedisi dhe Energjia, dhe Ekonomia.
Programi, i cili implementohet nga Universiteti Aristotel i Selanikut dhe Instituti Kombëtar për Shërbime Publike në Francë, mbulon të gjitha shpenzimet e shkollimit, jetesës, vizave dhe sigurimeve për përfituesit e bursave. Gjithashtu, ofron një trajnim përgatitor në gjuhën angleze për studentët që do të studiojnë jashtë Kosovës. Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të jenë të angazhuar në trajnime paraprake në Kosovë dhe do të kërkohet që pas diplomimit të kontribuojnë në administratën publike të Kosovës për një periudhë trevjeçare.
Aplikimi mund të bëhet përmes ueb-faqes zyrtare të programit në https://ycskosovo.org ,ndërsa dokumentacioni i kërkuar përfshin një formular aplikimi, CV-në në formatin Europass, një letër motivimi, dhe kopjet e diplomave të certifikuara. Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen online, në format PDF brenda një dosje të kompresuar (ZIP), deri më 9 dhjetor 2024, ora 17:00.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan