Nën organizimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u përmbyll me sukses Konferenca e Katërt Ndërkombëtare Vjetore – UKZ AC 2025, me temën qendrore“Teknologjia, Shkenca dhe Arsimi: Rrugët drejt një Shoqërie Inteligjente”.
Gjatë dy ditëve, konferenca mblodhi akademikë, studiues dhe përfaqësues të institucioneve nga vendi dhe jashtë, duke ofruar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve, ndarjen e përvojave dhe diskutimin e sfidave bashkëkohore në fushat e arsimit, shkencës dhe teknologjisë.
Në kuadër të konferencës, respektivisht në ditën e dytë të zhvillimeve të punimeve të saj, u themeluan dy grupe të para hulumtuese. Grupi i Hulumtimit për Edukimin STEM i fokusuar në zhvillimin e metodave kërkimore në arsim, përgatitjen e liderëve të ardhshëm, nxitjen e të nxënit aktiv dhe zbatimin e vlerësimeve të besueshme në mjedise të bazuara në hulumtim, si dhe Grupi i Hulumtimit për Kompetencat në Matematikë me qëllim zhvillimin e të menduarit dhe arsyetimit matematikor, zgjidhjen e problemeve, modelimin, përdorimin e simboleve, formalizmave dhe teknologjisë.
Konferenca u organizua në sesione paralele, ku morën pjesë 210 studiues, të cilët paraqitën punimet e tyre shkencore në fusha të ndryshme. Disa nga sesionet kryesore përfshinin:
EduDay Conference me temën “Arsimi dhe Inteligjenca Artificiale”, Justice Conference kishte për temë “Roli i Shtetit të së Drejtës në Epokën Dixhitale dhe Ndikimi i Teknologjisë në Zhvillimin Ekonomik”, Economics Conference temë qëndrore ishte “Formësimi i Transformimit Ekonomik përmes Inovacionit dhe Teknologjive Digjitale”, DiGiDay Conference temëboshte kishte “Nga Sistemet Inteligjente drejt Shoqërive Inteligjente: Roli i Teknologjive të Reja”, MathDay Conference me temën “Matematika dhe STEM”, si dhe SocialScience Conference kishte si temë “Efektet e Transformimeve Politike, Ekonomike dhe Shoqërore në Dinamikën e Shoqërisë Ndërkombëtare”. Pjesëmarrësit u vlerësuan me certifikata për angazhimin dhe prezantimet e tyre.
Gjatë konferencës u theksuan disa rekomandime të rëndësishme, ku u sugjerua përfshirja më e madhe e mësimdhënësve dhe nxënësve në aktivitetet akademike, si themel i suksesit në arsimin e lartë, u theksua rëndësia e bashkëpunimeve të qëndrueshme me universitete me përvojë për të rritur cilësinë dhe autoritetin shkencor të UKZ-së, u rekomandua që thirrja për konferencën e vitit 2026 të hapet që tani, me qëllim që përgatitjet të jenë më të hershme dhe më të organizuara, themelimi i një reviste shkencore të indeksuar në fushën STEM si një hap për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe inkurajimin e botimeve shkencore cilësore, krijimi i një Shoqate të Matematikanëve Shqiptarë për të forcuar rrjetëzimin profesional dhe shkencor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
UKZ AC 2025 dëshmoi përkushtimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” ndaj cilësisë akademike, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të kapaciteteve kërkimore. Hapat konkretë të ndërmarrë në kuadër të konferencës përforcojnë rolin e universitetit si një qendër e rëndësishme shkencore në rajon dhe më gjerë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan