Përfundon me sukses trajnimi për Inovacion dhe Ndërmarrësi në UKZ

20 Shkurt, 2025

Trajnimi mbi inovacionin dhe ndërmarrësin, i mbajtur në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka përfunduar me sukses, duke sjellë ide të reja dhe qasje moderne në mësimdhënie dhe zhvillimin e biznesit. Ky aktivitet, i organizuar në kuadër të projektit GreenWB nga FH JOANNEUM në bashkëpunim me Universitetin Shën Kirili dhe Metodiu në Shkup dhe Universitetin e Wasa, mblodhi akademikë dhe studentë nga universitete të ndryshme nga Kosova, Shqipëria dhe më gjerë, ku u organizuan trajnime paralele për stafin dhe studentët e Universiteteve pjesëmarrëse.

Pjesëmarrësit nga stafi akademik u angazhuan në një program intensiv që synonte integrimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë në arsimin e lartë. Prof. Dr. Dukagjin Leka, Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, theksoi gjatë mbylljes së trajnimit rëndësinë e këtij programi për përgatitjen e gjeneratave të reja dhe fuqizimin e mendësisë ndërmarrëse tek studentët.

Trajnimi për stafin përfshiu tema të rëndësishme si: Inovacioni i gjelbër dhe menaxhimi i inovacionit i mbajtur nga Bojan Jovanovski dhe Anna Aleksanyan nga FH JOANNEUM, të cilët ndanë ekspertizën e tyre mbi zhvillimin e qëndrueshëm dhe modelet e ekonomisë rrethore; Mësimdhënia inovative dhe metodat e diferencuara për krijimin e moduleve progresive u prezantua nga Trajche Velovski nga Universiteti Shën Kirili dhe Metodiu në Shkup, duke prezantuar praktikat më të mira në edukimin modern; Marketingu digjital dhe integrimi i inovacionit të gjelbër në mësimdhënie, paraqitur nga Ahm Shamsuzzoha nga Universiteti i Wasa, janë prezantuar trendet globale të marketingut digjital dhe mënyrën se si mund të përdoren për të promovuar bizneset e qëndrueshme.

Njëkohësisht, në UKZ u zhvillua edhe një trajnim për studentët, i përqendruar në zhvillimin e aftësive ndërmarrëse dhe krijimin e modeleve të qëndrueshme të biznesit.

Gjatë trajnimit studentët u angazhuan në sesionin interaktiv të Speed Networking, duke krijuar ekipe për të zhvilluar ide inovative. Ligjëruesit kryesorë në këtë trajnim ishin: Drin Ademi dhe Drenusha Ademi, studentë të UKZ dhe themelues të Mycelium Pharm, të cilët ndanë përvojat e tyre mbi sfidat dhe mundësitë e sipërmarrjes në Kosovë.

Ridvan Aliu, CEO i Future Minds Academy, i cili në prezantimin e tij online nga SHBA trajtoi temën “Ndërmarrësia dhe Startup-et”, duke theksuar rëndësinë e mentalitetit sipërmarrës dhe ndërtimin e një biznesi të suksesshëm nga zeroja.

Përfaqësuesja nga CEO i FLOIL Company, përmes temës “Zhvillimi i Bizneseve të Qëndrueshme”, prezantoi modelin e suksesit të FLOIL Company, një kompani e specializuar në prodhimin e vajrave ekologjikë, duke ndarë përvojat e tij mbi ekonominë rrethore si riciklimi dhe përdorimi i burimeve natyrore në mënyrë efikase.

Florian Kurteshi, CEO i Hello Academy of Education, prezantoi temën “Mësimdhënia inovative për brezin e ri”, duke theksuar rolin e teknologjisë dhe inovacionit në edukim dhe metodat interaktive të mësimdhënies. Ai theksoi se mësimdhënia tradicionale duhet të evoluojë, duke inkorporuar metoda interaktive, platforma digjitale dhe qasje të personalizuara për studentët e brezit të ri.

Ahm Shamsuzzoha nga Universiteti i Wasa prezantoi temën “Punësimi i gjelbër dhe planifikimi i pjesëmarrjes në Ballkanin Perëndimor”, duke analizuar mundësitë për të rinjtë dhe rolin e universiteteve në përgatitjen e tyre për tregun e punës.

Dr. Sc. Gezim Jusufi, Profesor i Ekonomisë në UKZ, diskutoi temën “Ndërmarrësia në Kosovë – Pro & Contra”, duke sjellë një qasje kritike mbi avantazhet dhe sfidat e sipërmarrjes në Kosovë. Ai diskutoi faktorët që ndikojnë në suksesin ose dështimin e startup-eve në Kosovë, si qasja në financim, infrastruktura ligjore dhe kultura sipërmarrëse.

Erleta Baliqi, studente në programin master të UKZ-së për Sistemet e Kontrollit dhe Inteligjencën Artificiale, prezantoi temën “Inteligjenca Artificiale në Edukim”. Erleta tregoi sesi AI mund të transformojë mënyrën se si mësojnë studentët, duke mundësuar mësim të personalizuar, asistencë virtuale dhe analiza të avancuara të të dhënave për përmirësimin e përvojës arsimore.

Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti, Prodekan i Fakultetit Ekonomik në UKZ, prezantoi temën “Marketingu Digjital dhe Rrjetet Sociale për Bizneset Kosovare”, ku theksoi se bizneset moderne nuk mund të mbijetojnë pa një prani të fuqishme online, duke prezantuar strategji të suksesshme për brendimin, menaxhimin e reklamave dhe angazhimin e klientëve përmes platformave digjitale.

Trajnimi u mbyll me një sesion reflektimi mbi përvojat e përfituara, ku pjesëmarrësit ndanë idetë e tyre mbi mënyrat më të mira për të zbatuar njohuritë e marra në institucionet e tyre akademike dhe profesionale.

Prof. Dr. Dukagjin Leka përmbylli aktivitetin duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe ligjëruesit për kontributin e tyre, duke nënvizuar rëndësinë e inovacionit dhe ndërmarrësisë për të ardhmen e arsimit dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ky trajnim shënoi një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të metodave të mësimdhënies dhe fuqizimit të të rinjve për të zhvilluar ide të reja sipërmarrëse dhe për të krijuar biznese të qëndrueshme.