Përfaqësuesit e KFOR-it Turk premtojnë mbështetje për Qendrën e Karrierës dhe Alumnisë në UKZ

10 Dhjetor, 2024

Komandanti i Ekipit Monitorues të Mbikëqyrjes (LMT) të KFOR-it Turk në Gjilan, Major Yunus Yıldız, ka qëndruar në Universitetin Publik “Kadri Zeka”,  ku wshtë pritur në një takim nga Arlinda Selmani u.d. Udhëheqëse e Divizionit për Karrierë dhe Alumni. Ky takim ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit për nisma që mbështesin zhvillimin profesional të studentëve dhe të diplomuarve.

Gjatë takimit, Major Yıldız shprehu gatishmërinë e tij dhe të ekipit të tij për të mbështetur organizimin e Panairit të Punës dhe Karrierës. Ky panair do të shërbejë si një platformë kyçe për lidhjen e studentëve dhe të diplomuarve me kompani dhe organizata relevante, duke krijuar mundësi të vlefshme punësimi dhe zhvillimi profesional. Gjatë takimit KFOR-i turk ka shprehur gatishmërinë duke ofruar një folës të ftuar (“guest speaker”) për studentët. Ky folës do të ndihmojë në ndarjen e përvojave të vyera dhe njohurive praktike, duke frymëzuar të rinjtë drejt arritjeve në karrierë dhe jetë profesionale, e po ashtu u diskutua edhe inicimi i mundësisë së një marrëveshjeje bashkëpunimi me Universitetin e Ankarasë.

Ky takim shënon fillimin e një bashkëpunimi të frytshëm dhe është një dëshmi e përkushtimit për të ndihmuar në fuqizimin e të rinjve përmes edukimit dhe zhvillimit të karrierës.