Përfaqësuesit e FSHS-së të UKZ-së priten nga drejtuesit e shkollave të mesme në Komunën e Gjilanit

19 Prill, 2025

Përfaqësues të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, realizuan takime të rëndësishëm me drejtuesit e shkollave të mesme të Komunës së Gjilanit, Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”,  Jeton Rexhepi, drejtor i Gjimnazit Shoqëror “Zenel Hajdini”,  Shaban Terstenca, drejtor i Shkollës së Mesme të Mjekësisë,  Lumnije Tahiri, drejtoreshë e Shkollës së Mesme Teknike si dhe Fatlume Behluli, drejtoreshë e Shkollës së Mesme Ekonomike, për të diskutuar mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe hulumtuese. Ky takim erdhi si një hap në krijimin e një lidhjeje më të ngushtë mes institucioneve të arsimit të lartë dhe arsimit të mesëm në këtë rajon.

Në këtë kuadër, FSHS ka iniciuar dy projekte hulumtuese të cilat do të angazhojnë profesorë, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme të Komunës së Gjilanit. Këto projekte synojnë zhvillimin e kërkimeve dhe aktiviteteve edukative, duke kontribuar kështu në rritjen e kapaciteteve të të rinjve dhe zhvillimin e shkencës.

Në takim, palët ranë dakord që ky bashkëpunim të zgjerohet dhe të marrë formë të qëndrueshme në të ardhmen, me qëllim të avancimit të arsimit dhe shkencës. Për më tepër, drejtuesit e shkollave të mesme u informuan për mundësinë që ofron FSHS për maturantët, për të ndjekur studimet në programin “Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studimet Evropiane”, një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin e karrierave të të rinjve në fusha ndërkombëtare.

Ky bashkëpunim premton të sjellë zhvillime të rëndësishme për arsimin dhe kërkimin shkencor në nivel lokal dhe ka potencialin për të krijuar mundësi të reja për nxënësit dhe studentët në të ardhmen.