Përfaqësues të UKZ-së realizuan takime në Sofje të Bullgarisë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar

10 Korrik, 2025

Një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i përbërë nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Dukagjin Leka, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dhe Prodekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti, kanë realizuar vizita zyrtare në universitete të njohura në Sofje, Bullgari, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor.

Në kuadër të vizitës, delegacioni i UKZ-së është pritur nga prof. Lubomir Dimitrov, ish Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin Teknik të Sofjes. Gjatë takimit u diskutua mbi projektin QUADIC, bashkëpunimet aktuale dhe të ardhshme në kuadër të programeve Erasmus+, si dhe nevoja për ripërtëritjen e marrëveshjes ndërinstitucionale ekzistuese. Palët u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit nëpërmjet projekteve ndërkombëtare si Erasmus+ për ndërtimin e kapaciteteve, shkëmbimin e stafit në programin ICM, si dhe pjesëmarrjen e përbashkët në projekte të tilla si Horizon Europe.

Një risi e këtij takimi ishte hapi konkret drejt ndërlidhjes së bashkëpunimit edhe me Universitetin Uludağ në Bursa të Turqisë, duke shënuar zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit të partnerëve ndërkombëtarë të UKZ-së.

Po ashtu, delegacioni i UKZ-së ka zhvilluar një takim me prof. dr. Milen Markov, Drejtor për Veprimtari Ndërkombëtare në Universitetin e Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore (UNWE) në Sofje. Në këtë takim u diskutua përgatitja e një marrëveshjeje të re ndërinstitucionale që do të mundësojë zhvillim të gjithanshëm për stafin akademik dhe studentët e të dyja institucioneve.

Palët shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në projekte të shkëmbimit si programi ICM, projekte të ndërtimit të kapaciteteve, IPA dhe Horizon Europe. U diskutua gjithashtu për krijimin e një statusi preferencial për stafin akademik në pjesëmarrjen në konferenca dhe publikime në revista shkencore.