Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, së bashku me Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, morën pjesë në një aktivitet të organizuar nga Kolegji Profesional i Tiranës dhe partnerët e tij, për të nisur projektin EDUFAIR – një iniciativë e mbështetur nga Erasmus+ për ngritjen e kapaciteteve me fokus në integrimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në mësimdhënie, mësim dhe kërkim shkencor në Shqipëri dhe Kosovë.
Ky eveniment mblodhi përfaqësues nga institucione akademike, shoqëria civile, institucione publike, media dhe ekspertë të fushës, të cilët diskutuan mundësitë dhe sfidat e përdorimit të AI në arsimin e lartë. Gjatë aktivitetit, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, theksoi se integrimi i Inteligjencës Artificiale në arsimin e lartë është një hap i domosdoshëm për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor dhe se ky projekt na ofron mundësinë për të bashkëpunuar dhe për të ndarë praktikat më të mira me partnerët tanë në rajon.
Kurse Frederique Hanotier nga Delegacioni i BE-së theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet palëve të interesuara për përdorimin e AI, duke siguruar që kjo teknologji të mbetet në përputhje me të drejtat e njeriut.
Pjesëmarrësit tjerë të projektit nga universitetet në Shqipëri dhe Kosovë nënvizuan angazhimin e tyre për një integrim etik dhe përgjegjës të AI në arsimin e lartë. Luanda Domi, Guvernatore përgjegjës për AI në Kosovë, theksoi rolin e përgjegjësve të AI në formësimin e të ardhmes së arsimit, ndërsa Erjon Curraj nga SCiDEV diskutoi mbi mundësitë dhe sfidat e AI në sektorin e arsimit të lartë.
Ekspertë nga fusha të ndryshme të akademisë, shoqërisë civile, biznesit dhe medias shqyrtuan mundësitë për një bashkëpunim të suksesshëm në adoptimin e AI, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjithëve dhe kapërcimin e barrierave ekzistuese.
Ky projekt premton një hap të rëndësishëm drejt transformimit të arsimit në Shqipëri dhe Kosovë, duke përfshirë teknologjinë e AI në mënyrë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan