NJOFTIM DHE FTESË PËR KLUBIN NISMËTAR TË DEBATIT

4 Dhjetor, 2019

Njoftohen të gjithë studentët/et e Universitetit Publik “Kadri Zeka” (UKZ), se së shpejti do të formohet Klubi i Debatit (KD) në kuadër të universitetit, me nismën e asistentit Avni Rudaku, miratuar nga rektori Bajram Kosumi, përkrahur nga kryetari i Parlamentit Studentor, Dritor Mehmeti, dhe disa studentë e profesorë. Prandaj, ftohen të gjithë studentët të vënë themelet e këtij klubi dhe krijimin e skuadrave debatuese për secilin fakultet  e program në: Edukim, Juridik, Shkencat kompjuterike, Ekonomik dhe Shkencat aplikative – Matematikë arsimore.

Qëllimi i themelimit të klubit debatues në kuadër të UKZ-së është krijimi i një mjedisi debatues akademik, profesional e shkencor, duke nxitur, fuqizuar, promovuar, mbështetur dhe përforcuar mendimin kritik te studentët, stafi akademik, e rrjedhimisht në tërë hapësirat universitare dhe jashtëuniversitare. Debati zhvillon pasionin për lexim e mendim kritik, shkathtësitë oratorike, demokracinë në vendimmarrje, gjithëpërfshirjen, cilësinë në universitet, socializimin e studentëve nga fakultetet e ndryshme dhe shqyrtimin kritik të çdo teme/fenomeni/dukurie/mjedisi ku ballafaqohen dhe ndërveprojnë.

Ftohen të gjithë studentët nga të gjitha programet e vitet e studimeve universitare e pasuniversitare, kryetari e përfaqësuesit e Parlamentit Studentor dhe të çdo niveli tjetër hierarkik e organizativ studentor, dekanët e prodekanët, stafi i profesorëve dhe asistentëve të UKZ-së, që të propozoni studentët debatues, ose këta të fundit, mund të propozojnë veten e tyre ose dikë tjetër nga kolegët, duke shënuar këto të dhëna të mëposhtme për të propozuarit, në adresën elektronike: [email protected]

Emri dhe mbiemri, e-mail-adresa, viti i studimit dhe fakulteti i UKZ-së, me subjekt: “Propozime për debatues/e”.

Thirrja e parë për propozime debatuese është e hapur deri më 16 dhjetor 2019, ndonëse propozimet për emra të tillë do të jenë në vazhdimësi, pasi Klubi i Debatit do të jetë i hapur për të gjithë në çdo kohë! Të gjithë emrat e propozuar do të kontaktohen përmes e-mail-it, pas përmbylljes së propozimeve të para.

Ju mirëpresim!