Një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan po qëndron për vizitë zyrtare në Universitetin e Çukurovës në Adana të Turqisë, në kuadër të programit të mobilitetit ndërkombëtar ICM (International Credit Mobility).
Pjesë e delegacionit të UKZ-së janë Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Dekani i Fakultetit të Shkencave Aplikuara, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dhe Udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime z. Betim Berisha.
Qëllimi i vizitës është forcimi i partneritetit ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë, zgjerimi i bashkëpunimit akademik dhe institucional, si dhe thellimi i shkëmbimeve në kuadër të projekteve të përbashkëta ndërkombëtare.
Gjatë qëndrimit në Turqi, përfaqësuesit e UKZ-së janë pritur nga Rektori i Universitetit të Çukurovës, Prof. Dr. Hamit Emrah Beriş, si dhe kanë mbajtur takime me dekanët e fakulteteve përkatëse të Inxhinierisë Kompjuterike, Ekonomisë dhe Juridikut, me Departamentin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zyrën Erasmus+.
Diskutimet janë përqendruar kryesisht në zhvillimin e përbashkët të programeve të doktoratës për Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin Juridik, si dhe në arritjen e marrëveshjeve të reja bashkëpunimi për secilin fakultet. Është diskutuar gjithashtu për mundësitë e shkëmbimeve semestrale të stafit dhe studentëve, si dhe pjesëmarrjen në programe trajnuese dhe shkëmbime të tjera akademike.
Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka falënderuar nikoqirët për mikpritjen dhe ka vlerësuar lart bashkëpunimin me Universitetin e Çukurovës, duke e cilësuar atë si një nga partneritetet më të qëndrueshme dhe më të frytshme që ka UKZ.
“Ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me institucione të respektuara ndërkombëtare si Universiteti i Çukurovës. Kjo vizitë jo vetëm që thellon marrëdhëniet tona ekzistuese, por hap rrugë të reja për projekte të përbashkëta, shkëmbime akademike dhe rritje të cilësisë në arsim dhe kërkime shkencore,” ka thënë Rektori Dërmaku.
Universiteti i Çukurovës është një nga institucionet më të mëdha dhe më të njohura në Turqi dhe ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm në kuadër të programit ICM, duke përkrahur ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe krijuar mundësi të reja zhvillimi për të rinjtë dhe stafin akademik.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan