Një delegacion i UKZ-së po qëndron në vizitë zyrtare në Itali për projektin EDUFAIR

7 Maj, 2025

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka dhe anëtarja e Këshillit Drejtues në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, së bashku me një delegacion të këtij universiteti, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Lecce, Itali, në kuadër të projektit EDUFAIR. Ky projekt, i financuar nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian, ka si qëllim avancimin e cilësisë së arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor përmes integrimit të Inteligjencës Artificiale në mësimdhënie, të mësuar dhe kërkim shkencor.

Gjatë ditës së parë dhe të dytë të punimeve, delegacioni mori pjesë në diskutime të thelluara mbi rolin dhe ndikimin e Inteligjencës Artificiale në arsimin bashkëkohor dhe proceset e të nxënit. Një shembull i rëndësishëm u prezantua nga Universiteti i Salentos, i cili tashmë ka filluar të implementojë përdorimin e IA në mësimdhënie, duke adresuar aspekte ligjore dhe etike të këtij procesi.

Dita e tretë e punimeve u fokusua në mbledhjen e Steering Committee të projektit EDUFAIR, ku u diskutuan sfidat dhe mundësitë që ofron Inteligjenca Artificiale për të ardhmen, si dhe ndikimi i saj në kërkimin shkencor. Një pjesë e veçantë e diskutimeve iu kushtua zhvillimeve të fundit në Bashkimin Evropian dhe Italinë, me fokus në etikën dhe të drejtat që lidhen me përdorimin e teknologjive të avancuara.

Kjo përvojë e vlefshme ka ofruar mundësinë për të kuptuar më nga afër se si universitetet evropiane po integrojnë teknologjitë moderne në proceset akademike dhe administrative. Po ashtu, ka hapur mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe institucioneve partner, duke përfshirë aplikime për projekte të përbashkëta me Universitetin e Salentos, si dhe nisma të tjera që do të zhvillohen në të ardhmen.

Projekti EDUFAIR – “Advancing quality higher education in the Western Balkans through facilitating AI integration in Teaching, Learning and Research”, është një nismë e rëndësishme që mbështetet nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian. Ky projekt përfshin partnerë nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria dhe Italia, dhe ka për qëllim avancimin e arsimit të lartë në rajon përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale.