Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” dhe Rektori i Universitetit Politeknik delle Marche nga Ancona e Italisë, nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit mes dy Universiteteve. Marrëveshja hap mundësinë për bashkëpunim në fusha specifike midis dy Institucioneve si: shkëmbim të personelit të Universitetit dhe studentëve, shkëmbim të përvojave të tyre pedagogjike ( seminare, kurse , etj) , organizime të debateve , takimeve shkencore, konferencave, shkëmbim të botimeve që rrjedhin nga këto veprimtari dhe të tjera.
Me këtë rast Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi, ka thënë se marrëdhëniet arsimore dhe shkencore mes Universiteteve janë një instrument i domosdoshëm për njohjen e përvojave reciproke për avancimin e njohurive dhe përhapjen e dijes. Ndërsa Rektori i Universitetit Politecnic delle Marche në Ancona të Italisë,Sauro Longhi, ka thënë se Universitet që ai drejton është i orientuar drejt studentëve dhe përqendrohet në një dimension ndërkombëtar , duke i kushtuar një vëmendje të veçantë nevojave të studentëve ndërkombëtarë.
Ndryshe, në Universitetin Politecnica delle Marche në Ancona të Italisë është duke qëndruar një delegacion i dy Universiteteve të Kosovës, si pjesë e projektit EUFORIA. Delegacioni përbëhet nga Rektori, Prof. Asoc. Bajram Kosumi, Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Gëzim Tosuni, Rektori i Universitetit të Ferizajt, Prof. Asoc. Agron Bajraktari dhe Pro Rektori për Marrëdhënie me Jashtë i Universitetit të Ferizajt, Prof. Asoc. Bujar Pira. Kështu edhe Universiteti i Ferizajt ka nënshkruar marrëveshje me Universitetin e Anconas së Italisë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan